
Lexoni edhe:
Futbollistit kosovar Rrahmanit vazhdimisht po i rritet vlera, Napoli synon ta “blindojë” atë
Dhuna në futbollin kosovar është rikthyer në fundjavë që shkoi. Më saktësisht, skena të turpshme u panë pas ndeshjes mes Deçanit dhe Dukagjinit, transmeton "Kosova Sot Online ". Deçanasit e fituan lojën me rezultat 5:2, por pas përfundimit të saj ndodhi një incident. Një futbollist i skuadrës gjakovare e sulmoi fizikisht gjyqtarin pas përfundimit të lojës. Në fakt, futbollisti në fjalë doli nga banka rezervë duke u futur në fushë për ta goditur referin, i cili më pas mori edhe tretman mjekësor.
Futbollisti u arrestua, siç e konfirmon edhe Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh. “Deçan 09.04.2023 – 16:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, shkruan në raportin policor. Pas tensionimit të situatës, e cila ka mundur edhe të eskalonte në stadiumin “Ruzhdi Ramosaj” në Deçan, intervenoi policia, e cila me këtë rast e arrestoi futbollistin, kurse gjyqtari përfundoi në spital. Pra, futbollisti gjakovar është liruar, ndërsa e ngarkon vepra penale “Lëndim i lehtë trupor”.
(Kosova Sot Online )