Futbollistit kosovar Rrahmanit vazhdimisht po i rritet vlera, Napoli synon ta “blindojë” atë

  • S.A /
  • 10 April 2023 - 10:01
Futbollistit kosovar Rrahmanit vazhdimisht po i rritet vlera, Napoli synon ta “blindojë” atë

Amir Rrahmani është sot njëri prej mbrojtësve më të mirë në Serie A. Futbollistit kosovar po i rritet vlera dita-ditës falë paraqitjeve të tij të shkëlqyeshme në kampionatin italian dhe në Ligën e Kampionëve, transmeton "Kosova Sot Online ". Dhe, për këtë është i vetëdijshëm edhe Napoli, i cili po mundohet ta blindojë atë sa më shpejt me një kontratë të re. Vlera aktuale e kartonit të përfaqësuesit kosovar është ngritur në 25 milionë euro, sipas “Transfermarkt”.

Ish-futbollisti i Dinamo Zagrebit dhe i Veronës ka kontratë me napolitanët deri në vitin 2024. Por, gazetari sportiv italian, Fabrizio Romano raporton se Napoli nuk dëshiron ta humbasë lojtarin pa para pas një viti, kur edhe do t’i skadojë kontrata. Andaj, napolitanët janë duke punuar që t’ia vazhdojnë atij kontratën deri në 2027, me opsion për një vit tjetër, në mënyrë që ta “blindojnë” atë në stadiumin “Maradona”. Edhe vetë Rrahmani është shprehur i gatshëm për ta vazhduar bashkëpunimin me Napolin, ku ndihet mjaft i lumtur. Ai ka shpërthyer në dy sezonet e fundit nën drejtimin e trajnerit Luciano Spalletti. 

(Kosova Sot Online )