Muriqi përfshihet në listë për ekipin e vitit, fatin e vendosin votat e tifozëve

  • s. /
  • 11 April 2023 - 11:07
Muriqi përfshihet në listë për ekipin e vitit, fatin e vendosin votat e tifozëve

Vedat Muriqi po vazhdon të befason e shkëlqen  në këtë sezon,  në futbollin evropian. Sulmuesi kosovar i ka realizuar 12 gola dhe i ka dhuruar dy asistime me Mallorcan duke e bërë veten njërin prej golashënuesve më të mirë të ligës, transmeton "Kosova Sot Online ".

28 vjeçari kishte vazhdimësi dhe e ka marrë në dorë Mallorcan edhe në këtë edicion, njëjtë si në atë të kaluar, kur e shpëtoi pa rënë nga liga. 

Kjo ka bërë që përfaqësuesi kosovar të përfshihet në listën e kandidatëve për të qenë pjesë e ekipit ideal të vitit, të zgjedhur nga FIFA 2023, e që quhet “FIFA 23 Team of the Season” (TOTS).

Më saktësisht, në këtë ekip janë përfshirë lojtarët më të qëndrueshëm të këtij sezoni, pra që kanë pasur vazhdimësi.

EA Sports FIFA i ka ftuar tifozët që t’i votojnë lojtarët në secilën pozitë, për ta nxjerrë më pas 11-shen ideale me formacioni 4-3-3.

Në repartin e sulmit gjenden 28 futbollistë, ndërsa tre prej tyre do të jenë pjesë e ekipit ideal.

Në mesin e kandidatëve ka lojtarë të njohur si Gabriel Jesus, Alvaro Morata, Rodrygo, Alexis Sanchez etj., ndërsa natyrisht nuk janë përfshirë yjet e futbollit evropian.

Në bazë të komentuesve në rrjetin social Instagram, Muriqi është lojtari që e meriton më së shumti që të jetë pjesë e ekipit komunitar të sezonit të FIFA23. Votën për “Piratin” nga Kosova mund ta jepni në këtë link:

https://www.ea.com/es-es/games/fifa/fifa-23/ultimate-team/tots/community

Ndërkohë, mediumi i madh spanjoll “Marca” e përfshiu Muriqin në ekipin ideal të xhiros së 28-të të La Ligas falë dygolëshit të shënuar në fundjavë ndaj Real Valladolidit, kur ia siguroi një pikë Mallorcas.

Muriqi e sheh veten veç dy gola prapa Karim Benzemas dhe pesë gola prapa liderit të golashënuesve të La Ligas, Robert Lewandowski. 

(Kosova Sot Online )