Nga Liga e Parë drejt ëndrrës evropiane, Armend Dallku e shndërroi Dukagjinin në një ekip ambicioz dhe të respektuar

  • S.A /
  • 12 April 2023 - 12:49
Nga Liga e Parë drejt ëndrrës evropiane, Armend Dallku e shndërroi Dukagjinin në një ekip ambicioz dhe të respektuar

Armend Dallku e kishte marrë në dorë Dukagjinin kur ekipi klinas e kishte marrë teposhtëzen. Mirëpo, trajneri kosovar bëri sensacion në klubin nga Rrafshi i Dukagjinit duke e sjell në majat e futbollit elitar, transmeton "Kosova Sot Online".

Klinasit po e shijojnë këtë moment magjik nën drejtimin e trajnerit vushtrrias, i cili e ndërtoi një ekip solid dhe kompakt, duke i befasuar të gjithë për të mirë. Dukagjini aktualisht gjendet në vendin e gjashtë, por këtë ekip e ndajnë veç dy pikë nga pozita e tretë. Ish-trajneri i Prishtinës thotë se klinasit e kanë marrë veten pasi në fillim u desh të përballeshin me periudhën e tranzicionit të ekipit, i cili pati ndryshime para fillimit të sezonit. “Po kalojmë nëpër një moment të mirë. Normalisht që, është hera e dytë që fillimin e kampionatit po e kemi paksa të vështirë, duke e pasur parasysh që, e kam cekur që ndërrimi i lojtarëve po e bën të veten, sepse kur i ndryshon 7-8 e deri në 10 lojtarë, normalisht që do kohë për t’u komponuar ekipi. Po besoj që fazën e tretë, e sidomos edhe fazën e katërt në vitin e kaluar e kemi një ecuri mjaft pozitive. Po besoj që edhe këtë vit jemi prapë në hapin dhe në kohën e duhur”, deklaroi fillimisht Dallku .

“Faza e katërt vetëm sa ka filluar dhe pa marrë parasysh se në ndeshjet e para i kemi kundërshtarët direktë të pjesës së epërme të tabelës, për ne nuk ka rëndësi sepse gjatë gjithë kohës, synim imi dhe i ekipit ishte që të mos kemi frikë nga asnjë kundërshtar, të ballafaqohemi me secilin kundërshtar dhe nga secili prej tyre të marrim pikë maksimale. Kështu që, ne jemi të kënaqur momentalisht, mirëpo po mendoj se me kapacitetin e ekipit tonë mund të arrijnë edhe më lart”, vazhdoi ish-futbollisti i njohur kosovar.

Dukagjini e synon Evropën

Dukagjini nën drejtimin e Dallkut në javët e fundit po shihet me potencial për t’u kualifikuar edhe në garat evropiane. Këtë ekip e ndajnë veç dy pikë nga Gjilani, i cili është i treti, pozitë kjo që e siguron pjesëmarrjen në garat evropiane. Edhe vetë ish-përfaqësuesi shqiptar është i vetëdijshëm për këtë mundësi që i ka ardhur ekipit, të cilën do të mundohet ta shfrytëzojë, normalisht. “Renditja tabelare na lejon një gjë të tillë pasi dy pikë nuk janë shumë. Mirëpo, prioritet i yni gjithmonë ka qenë largimi nga ‘zona e nxehtë’ apo zona e rrezikshme, sa më shpejt që të jetë e mundur sepse e kemi provuar në sezonin e kaluar se çka do të thotë të notosh në ato ujëra shumë të vështira. Kështu që, këtë vit synuam që të mos i kishim problemet e vitit të kaluar dhe jemi mirë në këtë drejtim. Prioritet i ekipit tim është që në çdo ndeshje të dalim në fushë, ta bëjmë më të mirën dhe të marrim rezultat maksimal”, shprehet tutje ish-futbollisti i Vorsklas.

“Ne nuk na bën shumë përshtypje se kush është kundërshtar, a është i vendit të parë, i dyti apo vendi i fundit. E rëndësishme është që çdo ndeshje të luftohet 100 për qind. Besoj që e kanë kuptuar të gjithë se unë si karakter e kërkoj gjithmonë maksimumin pavarësisht kundërshtarit. Dhe, nëse në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje e jep maksimumin, rezultatet vijnë. Besoj që rezultatet nuk janë të rastësishme, këto rezultate i kërkoj nga djelmoshat e ekipit tim”, shton ndër të tjera ish-mbrojtësi i djathtë dhe qendërmbrojtësi i njohur kosovar.

Dukagjini në fakt mund të jetë veç një pikë larg Evropës, pasi në teori ka gjasa të shkojë atje edhe përmes vendit të katërt. Kjo do të ishte e mundshme nëse kupën e fiton ekipi i renditur në vendin e tretë.

“E sa i përket vendit të katërt, gjasat janë të hapura, mirëpo duhet ta shohim se si do të përfundojë edhe finalja e kupës. Pra, do të shohim edhe ne, nëse kemi gjasa apo edhe mundësinë më të vogël, pse jo ta synojmë daljen në Evropë edhe përmes vendit të katërt. Kjo do të ishte një ndihmesë e mirë edhe për futbollin e Kosovës duke e marrë parasysh se nëse 40 për qind e ligës do të dalë në Evropë normalisht që është një e arritur e madhe dhe do të jetë një mundësi më tepër. Do ta presim, po them në thonjëza ‘dhuratë’ që mund të bëhet, mirëpo ajo se sa është reale do ta shohim pas përfundimit të kampionatit”, deklaroi Dallku.

Paraprakisht, Dukagjini e kishte parë si rrugë më të lehtë daljen në Evropë përmes kupës, por prej aty u eliminua nga Prishtina, në njërën prej ndeshjeve më të dobëta të sezonit që e bëri ekipi, insiston Dallku.

Tash, krejt fokusi i klinasve do të jetë në kampionat, ku do të mundohet ta bëjë më të mirën e mundshme dhe t’i nxjerrë pikët maksimale, duke shpresuar që të jetë në një pozicion edhe më të mirë se që është tash.

Rrugëtimi i Dallkut me Dukagjinin

Pra, Dallku e kishte marrë ekipin në dorë në momente aspak të lakmueshme, por që bëri revolucion duke e bërë skuadër mjaft të respektuar në Superligë. E ish-futbollisti i Prishtinës ka folur për këtë rrugëtim aspak të lehtë, por që me punën e të gjithëve, me sukses të arritshëm. “Kur e kam marrë ekipin në kategorinë e parë, edhe aty ka qenë në disa pozicione jo fort të lakmueshme duke e pasur parasysh se fillimin e ka pasur të vështirë pasi kishte rënë nga liga. Në momentin që kemi shkuar ne, ka qenë në dy vendet e fundit. Mirëpo, ne kemi besuar tek ekipi më së pari. Në atë kohë normalisht që kemi besuar edhe tek presidenti i jonë dhe tek infrastruktura që na ofron qyteti i Klinës dhe klubi Dukagjini, i cili e ka një infrastrukturë jashtëzakonisht të mirë, ku mundësitë për punë janë shumë të mira.”

“Ne si trajnerë gjëja e parë që na intereson janë kushtet për punë, nuk diskutohet pastaj vijnë futbollistët dhe elementë të tjerë. Kur nuk ke kushte për punë, është e kotë që ta kesh edhe ekipin më të mirë të mundshëm. Pa kushte, pa fusha për stërvitje, çdo gjë bëhet më e vështirë. Ne kemi besuar në këto dy elemente dhe ia kemi dalë, edhe pse me shumë vështirësi. Në vitin e parë kur kemi shkuar, kemi arritur të shkonim deri në finale të Kupës, ku humbëm në penallti.”

“Pastaj i kemi luajtur dy barazhe për futje në Superligë, të parën me Flamurtarin, të cilën e fituam me lojë të rregullt, pastaj ndeshjen me Trepçën ’89, ku pas ekzekutimit të penalltive kemi qenë ne ata ‘fatlumë’ që u inkuadruam në Superligë. Normalisht, erdhi një periudhë e vështirë për ne pasi ndryshimi i lojtarëve do kohë për ta bërë një ekip kompakt. Kemi pritur të bëhen ndryshime, të merrnim lojtarë që i përgjigjen Superligës dhe kemi tentuar me çdo forcë që të mbeteshim pjesë e Superligës sepse siç e dimë, klubi i futbollit Dukagjini e ka pasur një histori jo të mirë, një vit në Superligë e pastaj prapë në Ligën e Parë.”

“Ne ia dolëm ta mbanim ekipin në ligën elitare dhe ta bënim më të mirën e mundshme. Kurse, ky është viti i dytë në Superligë dhe ne jemi detyruar prapë t’i bënim disa ndryshime tek grupi, e kemi konsoliduar ekipin mjaft mirë dhe momentalisht po i marrim frytet e të gjithë punës dhe të ekipit. Djemtë tanë janë fantastikë me dashuri të madhe për punën, sepse unë mendoj se vetëm puna i ka sjellë rezultatet e ekipit tonë. Motoja e stafit tim, kudo që kemi shkuar, sidomos në Dukagjinin e Klinës ka qenë tri zgjedhje: punë, punë dhe vetëm punë.”

“Kështu që, futbollistët e mi e kanë zgjedhur njërën prej tyre, që del të jetë prapë punë dhe me këtë rast na janë bashkangjitur, janë shkrirë në idetë tona dhe janë munduar ta bëjnë më të mirën. Unë përzemërsisht i falënderoj të gjithë, edhe ata që kanë punuar për ne një kohë, të cilët për arsye të ndryshme është dashur të ndahen nga ne, por edhe ata që janë tash. Po besoj se jemi në rrugë të mirë dhe jemi duke e shijuar një moment mjaft të mirë, jo vetëm ne si klub, por edhe Klina si qytet. Po besoj që do të kemi vazhdimësi dhe t’i bëjmë njerëzit të lumtur, e pse jo në fund të arrijmë diçka më tepër për ne”, përfundoi Dallku.

(Kosova Sot Online )