Gjykata e ka liruar nga masa e arrestit shtëpiak Agim Ademin

  • A.P /
  • 18 April 2023 - 15:46
Gjykata e ka liruar nga masa e arrestit shtëpiak Agim Ademin

Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Penal, e ka liruar nga masa e arrestit shtëpiak, kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.

Lajmin e ka konfirmuar, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ademi dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i besimit” nga neni 330, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe veprën penale “Shmangie nga tatimi “nga neni 307, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gashi njoftoi se mbrojtja e të pandehurit Ademi, kishte kërkuar që masa e arrestit shtëpiak, t’i zëvendësohet me masën e paraqitjes në stacion polizor dhe dorëzani.

Sipas saj, Prokurori i Shtetit ka refuzuar këtë kërkesë të mbrojtjes dhe ka vendosur që të pandehurit t’i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak dhe lirohet menjëherë nga kjo masë.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Penal, në çështjen penale kundër të pandehurit A.A, për shkak të veprës penale Keqpërdorim i besimit nga neni 330 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, e lidhur me nenin 77 të KPRK-së dhe veprën penale Shmangie nga tatimi nga neni 307 paragrafi 1 të KPRK-se, ka vendosur sipas kërkesës së mbrojtjes së të pandehurit, për zëvendësimin e masës së Arrestit shtëpiak në masën Paraqitja në stacion policor dhe dorëzani, dhe pas marrjes së përgjigjes nga Prokurori i Shtetit me datën 14.04.2023, mori Aktvendim me të cilin është refuzuar kërkesa e mbrojtjes së të pandehurit për zëvendësimin e masës së Arrestit shtëpiak në masën Paraqitja në stacion policor dhe dorëzani, dhe i ndërpritet masa e Arrestit Shtëpiak. I pandehuri A.A lirohet menjëherë nga kjo masë”, konfirmoi Gashi.

Ndryshe, më 23 mars 2023,  Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj Ademit, i dyshuar për “Keqpërdorim të besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.


(Kosova Sot Online)