Sjellet arrogante që po e ulin imazhin e sportit të Kosovës, pas incidentit në Vushtrri policia arreston një grup huliganësh

  • S.A /
  • 25 April 2023 - 10:36
Sjellet arrogante që po e ulin imazhin e sportit të Kosovës, pas incidentit në Vushtrri policia arreston një grup huliganësh

Gjashtë persona janë lënduar si pasojë e incidentit që ndodhi fundjavën që shkoi në ndeshjen e hendbollit mes Vushtrrisë dhe Trepçës, transmeton "Kosova sot Online ".

Në ndeshjen e zhvilluar të shtunën, hendbollistët dhe tifozët vushtrrias i sulmuan fizikisht mysafirët nga Mitrovica, me ç’rast pati të lënduar. Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës në njoftimin e sotëm, duke treguar se gjashtë persona kanë pranuar tretman mjekësor si pasojë e lëndimeve të lehta trupore të pësuara.

Ndërkohë, Policia po punon edhe në identifikimin e atyre që e shkaktuan incidentin. “Vushtrri 22.04.2023 – 18:00. Raportohet se gjatë një ndeshje sportive ka ardhur deri te përleshja në mes të disa personave, përveç kësaj disa persona të tjerë kanë hedhur gjësende në drejtim të tyre. Si pasojë, gjashtë persona kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për procedura të mëtejme”, shkruan në njoftimin e fundit 24 orësh të Policisë.

Tre hendbollistë të Vushtrrisë u suspenduar përjetë mbrëmë nga Federata e Hendbollit të Kosovës, e të tjerët u suspenduan me vite dhe me muaj. Vushtrrisë iu mor një pikë, ndërsa u dënua edhe me minus dy pikë, teksa ndeshjen ndaj Trepçës e humbi me rezultat zyrtar 0:10. Vushtrria gjithashtu u gjobit me 800 euro, si dhe u dënua me pesë ndeshje pa praninë e publikut. 

(Kosova Sot Online )