Zbulohet fotografia e gjendjes momentale të portierit algjerian që e rrahën për një lojë hendbolli!

  • S.A /
  • 25 April 2023 - 14:50
Zbulohet  fotografia e gjendjes momentale të portierit algjerian që e rrahën për një lojë hendbolli!

Muhammed Chahre Hachemi e pa tmerrin me sy fundjavën që shkoi. Portieri algjerian kishte ardhur në Kosovë për ta masivizuar dhe për ta rritur cilësinë e hendbollit kosovar, por nuk e kishte menduar kurrë më parë që do të përfundonte në spital për tretman mjekësor, transmeton "Kosova Sot Online".

Ai ishte pjesë e incidentit që ndodhi në Vushtrri, ku lojtarët vendës, të mbështetur edhe nga publiku, i sulmuan mysafirët, në këtë rast edhe portierin algjerian, i cili u godit me shqelma dhe me grushte.

E klubi i tij, Trepça, e ka publikuar fotografinë e ndjeshme të gjendjes momentale të portierit, i cili shihet me disa shenja në fytyrë si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij.

“Në minutën e 34:42 sulmohet lojtari i Trepçës, Yassine Henahem, nga lojtari me nr 11 i Vushtrrisë, Halim Miftari, me nr 14. Lojtari ynë sulmohet me grusht në bark dhe shqelm në kokën sa ishte i shtrirë në dysheme dhe në këtë moment disa lojtar të Vushtrrisë së bashku me publikun sulmojnë dhe grushtojnë ekipin e Trepçës, ku shihet qartë edhe në transmetimin live në ‘RTV 21’. Më së shumë lëndime pësojnë portieri i përfaqësueses së Algjerisë, Muhammed Chahre Hachemi, pastaj Yassine Henahem nga Tunisia, Yasin Ben Jouida nga Tunizia, Deniz Terziqi, Kushtrim Kastrati dhe Ermir Smaka, të gjithë këta lojtar marrin tretman mjekësor në Emergjencë e Mitrovicës”, thotë KH Trepça në një njoftim. Sipas mitrovicasve, lojtarët e tyre kanë mbetur ende me pasoja, ndërsa ka reagur edhe Federata Algjeriane e Hendbollit për portierin e tyre të sulmuar.

Si rezultat i këtij incidenti, Policia e Kosovës njoftoi sot se gjashtë persona kanë kërkuar tretman mjekësor, ndërsa Policia është duke e hetuar rastin.

Vushtrrisë iu dënuan tre lojtarë përjetë e disa të tjerë me muaj apo vite suspendim.

Vushtrria u gjobit me 800 euro, e humbi lojën me rezultat zyrtar, 0:10, iu hoqën dy pikë në tabelë, ndërsa do t’i zhvillojë pesë ndeshje pa praninë e publikut.

(Kosova Sot Online )