Guardiola: Fitorja e vendos në duart tona fatin e titullit

  • A.P /
  • 25 April 2023 - 22:09
Guardiola: Fitorja e vendos në duart tona fatin e titullit

Pep Guardiola beson se fitorja ndaj Arsenalit të mërkurën mbrëma do ta vendosë fatin e titullit të kampionit në duart e Manchester Cityt.

Me dy ndeshje më pak, “Qytetarët” janë në pozitën e dytë në tabelë me 70 pikë, pesë më pak se “Topçinjtë”.

“Kemi pasur shumë muaj për të arritur në këtë pjesë të ligës për të pasur mundësinë në duart tona”, tha Guardiola në prag të kësaj ndeshjeje.

“Sigurisht që edhe ata [Arsenali] e kanë në dorë, sepse nëse fitojnë varet nga ata, fati do të jetë në dorën e tyre. Por, nëse ne fitojmë, padyshim që fati do të jetë në duart tona. Atëherë do të na mbesin edhe shtatë ndeshje”, shtoi trajneri spanjoll.

Edhe pse Manchester City i ka fituar të dyja ndeshjet kundër Arsenalit këtë sezon, një në Kupën FA dhe një në Premierligë, Guardiola nuk është aspak i vetëkënaqur.

“Ne kemi luajtur dy herë këtë sezon dhe ato ishin ndeshje vërtet të vështira. Kur luan kundër këtyre skuadrave, ata mund të kontrollojnë gjithçka”, tha 52-vjeçari.

“Kam thënë që shumë kohë më parë se Arsenali, me Arsene Wenger, kanë gjithmonë detajet dhe kujdesin e jashtëzakonshëm për topin dhe kë zgjedhin për të luajtur me cilësinë dhe aftësitë më të mëdha. Por, Mikel [Arteta] ka sjellë një dimension të ri. Ata janë konkurrentë të mëdhenj në të gjitha kuptimet, aq agresivë”, shtoi ai.

“Është vërtet e rëndësishme, jo vendimtare sepse kanë mbetur shumë ndeshje të vështira për të dyja palët. Por, ne nuk mund ta mohojmë se sa e rëndësishme është”, deklaroi Guardiola.

(Kosova Sot Online)