Pep Guardiola "futuron" pas fitores 4:1

  • S.A /
  • 27 April 2023 - 08:52
Pep Guardiola

Pep Guardiola e ka shijuar në maksimum fitoren e Manchester Cityt ndaj Arsenalit me rezultat 4:1 mbrëmë.

“Citizens” e dominuan totalisht kundërshtarin për ta regjistruar atë që mund të konsiderohet si fitorja më e rëndësishme sezonale për ta.Tash, kampioni aktual anglez i ka dy pikë më pak sesa lideri Arsenal, por edhe dy lojë më pak të zhvilluara, transmeton "Kosova Sot Online".

Trajneri Guardiola është i vetëdijshëm se “Qytetarët” e bënë një hap të rëndësishëm drejt titullit të kampionit, i cili tash është në duart e tyre.

“Gjëja më e rëndësishme pas kësaj fitoreje është se tash fati është në duart tona. Ishte një ndeshje e rëndësishme, jo vendimtare, por e rëndësishme. Jemi në pozicionin ku donim të ishim, tash vërtet është gjithçka në duart tona”, u shpreh Guardiola pas lojës.

Kevin de Bruyne i shënoi dy gola, ndërsa nga një e shtuan John Stones dhe Erling Haaland për triumfin e Cityt në “Etihad Stadium”, ndërsa “Gunners” ishin inferiorë dhe nuk merituan më shumë.

“Topçinjtë” kanë pësuar rënie drastike të formës duke i regjistruar tri barazime e një humbje në katër ndeshjet e fundit, kurse City i ka fituar 12 ndeshjet e fundit.

(Kosova Sot Online )