Ancelotti flet për Modricin, Viniciusin, Cityn

  • A.P /
  • 28 April 2023 - 15:31
Ancelotti flet për Modricin, Viniciusin, Cityn

Carlo Ancelotti ka folur sot në konferencë për shtyp për shumë tema të ndryshme, përfshirë këtu për lëndimin e Luka Modricit, për Vinicius Junior, për sezonin aktual dhe për të ardhmen e tij

“Ndeshja me Gironan nuk na shkoi mirë, duhet të reflektojmë. Personalisht ndihem mirë, e ndiej një atmosferë të mirë dhe grupi është i motivuar, në formë”, ka thënë fillimisht Ancelotti

“Jemi të mërzitur për lëndimin e Modricit, për ne është i pazëvendësueshëm. Nuk e dimë nëse do të jenë gati për finalen e Kupës, shpresojmë që të riaftësohet shpejt. Për karakteristika, Ceballos i afrohet, ndërsa kemi edhe resurse të tjera si Camavinga e Tchouameni”, vazhdoi ai.

“Është e vërtetë që ka shumë ndërhyrje ndaj Vinicius, por nuk mund ta evitojnë faktin se shkon një kundër një dhe që provon të driblojë. E vetmja mënyrë për ta mbrojtur është kujdesi nga gjyqtari: vetëm ai mund ta evitojë që të ndodhë diçka e rëndë dhe e keqe. Fati i jonë është që ai e ka një fizikus të fortë dhe që iu përballon goditjeve: edhe Maradona dhe Pele fatkeqësisht pësonin shumë goditje nga kundërshtarët. Më pas, ekziston edhe problemi i racizmit ndaj tij”, nënvizoi Ancelotti.

“Sa i përket kampionatit, jemi të mërzitur që kemi mbetur prapa. Na mungoi kontinuiteti këtë sezon, por nuk është koha për të menduar për të shkuarën. Ka ende lojë”, thotë trajneri italian.

“E ardhmja? Qëndrimi im këtu nuk varet nga triumfi në Champions. E ardhmja tashmë është shkruar: do të jem këtu deri më 2024 dhe më pas të shohim”, shton “Don Carlo”

“Championsi? Nuk po mendojmë për gjysmëfinalen, kemi angazhime të tjera. City është një skuadër e madhe dhe ky nuk është një sekret, jemi përballur me ta edhe në vitin e kaluar. Do të zbavitemi”, përfundoi Ancelotti. 

(Kosova Sot Online)