Messi kërkon shifra marramendëse milionëshe nga sheikët arabë për një transferim

  • S.A /
  • 04 May 2023 - 08:55
Messi kërkon shifra marramendëse milionëshe nga  sheikët arabë për një transferim

Lionel Messi është në bisedime me sheikët arabë për një transferim me shifra marramendëse milionëshe, transmeton "Kosova Sot Online".

Aktualisht  Messi është duke qëndruar në Arabinë Saudite, ku po i shijon disa ditë pushimi, ndonëse nuk ka marrë leje nga klubi i tij, Paris Saint-Germain.

Gjatë qëndrimit atje, thuhet se ylli argjentinas ka pasur takime me sheikët arabë, të cilët po i bëjnë atij presion që të përfundojë në Saudi Pro League gjatë verës që po vjen.

Qeveria saudite po e përgatit një ofertë me shifra marramendëse për kampionin e freskët të botës për t’iu bashkuar Cristiano Ronaldos në ligën elitare të këtij shteti.

Madje, mediumi britanik “The Telegraph” raporton se Messit i është ofruar një rrogë e pabesueshme prej 363 milionë eurosh në vit, përcjell “Gazeta Express”.

Bisedimet janë zhvilluar edhe me babanë/menaxherin e tij, Jorge Messi, ndërkohë që pas pak javësh 35 vjeçari do të jetë lojtar i lirë dhe do të largohet gjithsesi nga Paris Saint-Germain.

Klubi ekzakt i Saudi Pro League ku mund të transferohet Messi mbetet ende i pavendosur, por thuhet se rivalët e Al-Nassr, Al-Hilal shihen si një mundësi.

Arabia Saudite njëkohësisht synon ta bëjë Messin si ambasador, në synimin e saj për ta fituar të drejtën e organizimit të Kupës së Botës në vitin 2030.

Messi udhëtoi së fundmi në Arabinë Saudite bashkë me gruan e tij, Antonella Roccuzzo dhe fëmijët pa marrë leje nga klubi, i cili me këtë rast e suspendoi për dy javë dhe në njëjtën kohë, në këtë periudhë ai nuk do të marrë rrogë.

PSG-ja ka vendosur të mos ia vazhdojë kontratën Messit, i cili krahas Arabisë Saudite, i ka në opsion edhe rikthimin në Barcelonë apo transferimin në ligën amerikane – MLS, ku e pret klubi i atjeshëm, Inter Miami. 

(Kosova Sot Online )