Arrestimi i vrasësit të Ardian Nikulajt, Maroku letër Shqipërisë

  • S.A /
  • 09 May 2023 - 12:17
Arrestimi i vrasësit të Ardian Nikulajt, Maroku letër Shqipërisë

Ekzekutori që e vëzhgoi për gati 3 muaj derisa plotësoi të gjitha kushtet për ta vrarë politikanin lokal dhe biznesmenin Ardian Nikulaj në Shëngjin u lokalizua dhe arrestua në Marok 19 ditë pas krimit. Në momentin që autoritetet policore marokene ndërhynë për ta arrestuar, ai ishte i vetëm në një lokal në kryeqytetin Rabat, transmeton "Kosova Sot Online".

Portugezi nuk bëri rezistencë kur pa se ishte rrethuar dhe u prangos. Pas arrestimit Maroku ka kërkuar informacion nga autoritetet shqiptare lidhur me Ruben Saraivën.

Autoritetet e Marokut kanë dërguar një mesazh të hënën drejtuar Interpol Tiranës, me përmbajtje: “Lidhur me shtetasin Ruben Saraiva, i cili kërkohet nga ju për vrasje, a është kërkimi i vlefshëm? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion praktikën. Ai është arrestuar nga ne dhe po mbahet në paraburgim”.

Për Ruben Saraivën pritet të nisin procedurat e ekstradimit drejt Tiranës, edhe pse do të jetë një proces i vështirë pasi Shqipëria dhe Maroku nuk kanë një marrëveshje ekstradimi midis tyre. Megjithatë, të qenit shtetas i huaj, në rastin konkret jo maroken, Shqipëria do të përdor të gjitha manovrat ligjore të konventave ndërkombëtare për të bindur shtetin afrikano-verior për të pasur një përgjigje pozitive ekstradimi. 

(Kosova Sot Online )