Philadelphia e Denveri, më afër finales së Konferencës

  • S.A /
  • 10 May 2023 - 09:42
Philadelphia e Denveri, më afër finales së Konferencës

Philadelphia dhe Denveri i janë afruar finales së Konferencës në NBA. 76ers e mposhtën Bostonin në ndeshjen e pestë gjysmëfinale me rezultat 115:103 (33:26, 25:23, 30:23 e 27:31), duke dominuar në tre çerekët e parë, me ç’rast edhe e siguroi fitoren, transmeton "Kosova Sot Online".

Me këtë rast, Philadelphia prin 3:2 me ndeshje dhe është veç një lojë larg finales së Konferencës.

36 pikët e Jayson Tatum dhe 24 të Jaylen Broën ishin të pamjaftueshmë për Celtics në “TD Garden”.

Sidoqoftë, Bostoni do të mundohet ta përmbysë serinë e ndeshjeve në vazhdim.

Nga ana tjetër, më meritorët në fitoren e Philas ishin Joel Embiid e Tyrese Maxey, të cilët i shënuan 33, respektivisht 30 pikë.

Ndërkohë, fitores mbrëmë iu gëzua edhe Denveri, i cili e mundi Phoenixin 118:102 (35:24, 17:25, 39:25 e 27:28).

Me këtë rast, Nuggets kaluan në avantazh në 3-2 me ndeshje dhe iu afruan finales.

Nikola Jokic ishte më i dalluari tek Denveri me 29 pikë, kurse Bruce Brown Jr. i shtoi 25 sosh në “Ball Arena”.

Nga ana tjetër, tek Suns më të shquarit ishin Devin Booker me 28 pikë e Kevin Durant me 26, por që ishin të pamjaftueshme. 

(Kosova Sot Online )