Aleksandër Vuçiq po zbulohet e demaskohet, personalisht po komandon me bandat kriminale në veri të Kosovës

Aleksandër Vuçiq po zbulohet e demaskohet, personalisht po komandon me bandat kriminale në veri të Kosovës

Hajrullah Tërnava

  • 10 May 2023 - 07:43

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Incidentet e filluara rishtas nga individ serb në Veri të Kosovës po argumentojnë publikimet e shtypit prestigjioz botërore për lidhjet e Aleksandër Vuçiqit me rrjetet e krimit të organizuar në veri të Kosovës, dhe incidentet më të reja që kanë filluar në veri të Kosovës, janë provokimet me mjete shpërthyese si shenja paralajmëruese të skenarit të fillimit të rebelimit të bandave të krimit të komanduara nga qendra në Beograd, për ta pamundësuar vendosjen e pushtetit ligjor komunal pas zgjedhjeve të fundit lokale dhe për ta kushtëzuar tutje stabilizimin me çështjen e ultimatumit për asociacionin, temë kjo që ka dështuar tërësisht për tu trajtuar dhe përafruar në qëndrime dhe formulim të draft statutit nga takimi i fundit që është zhvilluar në Bruksel, kurse për pasojë të propozim dokumentit në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës, edhe ekipi menaxhues është ndëshkuar duke u shkarkuar.

-Vetë kryetari I Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, njeri më i afërt i kreut të Qeverisë Albin Kurtit, ka treguar se çështja e arritjes së pajtimit për formulën dhe modelin e Asociacionit, nuk është duke u përafruar, por për me keq, akoma më shumë duke u larguar. Ai ka thënë se qëndrimet e palëve janë diametralisht të kundërta dhe nuk ka shpresë tejkalimi të dallimeve dhe përafrimit për ti dhënë zgjidhje pozitive.

Sipas Konjufcës, ajo çka është e mundshme për Kosovën për themelimin e këtij mekanizimi, për çka janë vendosur edhe vijat e kuqe, pra asociacion pa kompetenca ekzekutive, është e papranueshme për Serbinë. “Ajo çka është e mundshme për Kosovën dhe cilat janë vijat e kuqe për Kosovën, ato janë të papranueshme për Serbinë siç duket. Prandaj kaq larg dhe të papajtueshme janë pozicionet. Prandaj unë vërtet nuk pres diçka pa ndryshuar Serbia në drejtim të demokratizimit dhe shtetit atje. Sa është Serbia kështu hegjemoniste dhe brenda koordinatave le të themi klero-nacionalizmit të kohës së Millosheviqit të viteve ‘90-ta, unë nuk pres zgjidhje në kuptimin e një marrëveshjeje me Serbinë. Marrëveshja me Serbinë bëhet kur të ndryshojë Serbia, jo me këtë Serbi aktuale e cila është”, thotë ai.

Duke vlerësuar shkarkimin e ekipit menaxhues që e ka hartuar draft-statutin e Asociacionit, Konjufca thotë se puna e tyre ka qenë krejtësisht në përputhje me interesat e Serbisë, prandaj edhe shkarkimi i ekipit detyrimisht ka qenë i domosdoshëm, i imponuar nga veprimi i pa pranueshëm dhe kundër kushtetues.

“Prezantuan një Asociacion i cili është ‘Republikë serbe’ në Kosovë dhe shumë mirë që u shkarkuan. Kjo ka qenë edhe thirrja ime e mëhershme që të shkarkohet ekipi i menaxhimit, pasi nuk përfaqëson fare Kosovën. Ne jemi shtet, do të qëndrojmë shtet, jemi të sigurt në rrugën tonë dhe institucionet e Kosovës nuk mund t’i prezantojnë interesat e institucioneve të Serbisë. Ajo çka është e logjikshme, pritshme dhe kushtetuese është që t’i përfaqësojnë interesat e Kosovës. Ky nuk ishte rasti me ekipin menaxhues i cili është caktuar prej vitit 2018 në këtë përbërje”,ka thënë kreu I Kuvendit Glauk Konjufca , Sipas tij, edhe kushtëzimi për themelimin e Asociacionit me kthimin e serbëve në institucione nuk mund të zgjidh problemet, gjë që nuk e ka as përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, i cili zgjidhjen e sheh vetëm me kthimin e serbëve në institucionet legale dhe ligjore të shtetit.

“Pa u kthyer serbët në institucione nuk mund të vazhdojë procesi në kuptimin e dialogimit, negociatave dhe kushtëzimeve që po i bëjnë tash për Asociacionin. Qëndrimi i QUINT-it ka qenë shumë i qartë, pranim i institucioneve të Kosovës, kthim në institucionet e Kosovës, pranim i kornizës kushtetuese në të cilën funksionon Kosova dhe pastaj kalojmë në hapa të tjerë. Duke kushtëzuar dhe thënë se ne nuk vijmë institucione të Kosovës, por na jepni fillimisht Asociacionin kjo nuk çon askund dhe kështu nuk mund të zgjidhen problemet”, thekson ai.

Marrë në përgjithësi këto angazhime të ndërkombëtarëve për zgjedhjen e mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës, në këto mënyra të veprimeve sikur deri me tani, e që ka kaluar një kohë e tërë mbi 23 vite angazhim, të gjitha gjasat jenë se me këtë udhëheqje të Serbisë në pushtet, nuk mund të ketë sukses dialogu që është në zhvillim e sipër, sepse për çdo angazhim nga ana e pushtetarëve serb që ti kontribuojnë përafrimit dhe zgjedhjes së problemeve mes këtyre dy shteteve, si fqinjë që janë, asnjëherë deri më tani nuk u arrit një sukses që e bindë popullatën se marrëveshja është në përfundim e sipër, prandaj pa një ndryshim radikal demokratik të tërë ne politikat serbe, nuk mund të pritet ndonjë përparim në drejtimin e duhur të pajtimit që u prit deri më tani, e sidomos kjo udhëheqësi radikale nacionaliste serbe, me këta njerëz që gjenden edhe më tutje në pushtet, e sikur që dihet se Vuçiq ishte një nga ministrat e qeverisë së Millosheviqit edhe në ato kohërat e luftës, që ishte edhe pjesëmarrës në luftërat që u krijuan deri në shpërbërjen e Jugosllavisë, prandaj pa një ndryshim radikal të njerëzve që e udhëheqin Serbinë, dhe pa demokratizimin e Serbisë vështirë se do të ndryshojnë gjërat në të mirë të regjionit dhe qetësisë në Ballkan.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".