Guardiola kërkon qetësi te Man City

  • A.P /
  • 16 May 2023 - 18:46
Guardiola kërkon qetësi te Man City

Pep Guardiola i ka kërkuar skuadrës së tij që të mos përfshihet në emocione kundër Real Madridit, në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.

Spanjolli përsëriti se janë të kënaqur me barazimin 1:1 në ndeshjen e parë, duke shtuar se tani Manchester City duhet të bëjë më mirë për të eliminuar 14 herë kampionët e Evropës.

“Ndihemi shumë mirë, ndjesitë janë pozitive. Por për të kaluar ne duhet të luajmë shumë më mirë se javën e kaluar. Ne duhet të bëjmë atë që dimë dhe atë që ata kanë përsëritur prej shumë vitesh. Nuk është vetëm guxim dhe entuziazëm, ne duhet ta bëjmë më mirë se në Bernabeu”, tha fillimisht ai.

Guardiola tutje tha se nuk ka një skuadër favorite nga kjo përballje.

“Nuk e di, nuk jam në gjendje ta them këtë. Në fund fiton skuadra që e meriton. Ne kemi ndjenjën se në shtëpi jemi më të lirë dhe se luajmë më të qetë. Nëse jemi vetvetja… kam luajtur dhjetë gjysmëfinale dhe kam humbur shtatë. E di ndjesinë, por ka shumë gjëra që nuk mund të kontrollohen në botën e futbollit”.

Ndeshja e dytë gjysmëfinale mes Manchester Cityt dhe Real Madridit do të zhvillohet të mërkurën mbrëma, në “Etihad Stadium”. 

(Kosova Sot Online)