Futbollisti i Kombëtares shqiptare i qetëson rumunët e frikësuar: S’ka rrezik, Prishtina është qytet i sigurt

  • S.A /
  • 14 June 2023 - 13:00
Futbollisti i Kombëtares shqiptare i qetëson rumunët e frikësuar: S’ka rrezik, Prishtina është qytet i sigurt

Situata e tensionuar e tri javëve të fundit në Kosovë i ka frikësuar rumunët para ndeshjes mes kombëtares së tyre dhe “Dardanëve”. Federata Rumune madje po mendonte ta merrte vendimin që të mos i lejonte tifozët e tyre të udhëtojnë për në Kosovë me frikën se mund të përshkallëzohet situata dhe tensionet në vendin tonë, transmeton "Kosova Sot Online".

Por, ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Elis Bakaj, i cili një pjesë të mirë të karrierës e kaloi në Rumani, aty edhe ku u martua dhe ku jeton, i ka qetësuar rumunët e frikësuar, duke iu thënë se në Kosovë ka siguri, mbi të gjitha në Prishtinë, ku do të zhvillohet ndeshja pasnesër.

“Prishtina më e sigurt se kurrë më parë, nuk ka asgjë të rrezikshme. Gjithsesi, televizionet gjithmonë ia teprojnë paksa me audiencën. Nuk ka asgjë, kam miq atje, njoh njerëz që shkojnë nga Tirana në Kosovë pothuajse çdo ditë. Me punë, me biznes. Nuk ka asgjë. Nuk ka për të ndodhur asgjë sepse aty janë forcat e NATO-s, kështu që asgjë nuk mund të ndodh. Aty jeta vazhdon e qetë, siç ka qenë gjithmonë. Kishte disa probleme, por larg Prishtinës, një ose dy ditë, dhe asgjë më tepër”, deklaroi fillimisht 35 vjeçari për mediumin rumun “sport.ro”.

“Tifozët dhe skuadra rumune duhet të jenë ë qetë sepse asgjë nuk po ndodh atj. Thjesht përqendrohuni te futbolli dhe dilni në fushë për ta fituar ndeshjen. Do të jetë vetëm një ndeshje futbolli sepse nuk ka rivalitet mes rumunëve dhe shqiptarëve. Nuk e kam ndjerë kurrë këtë gjë unë. Unë jam shqiptar që jetoj këtu (në Rumani) prej kohësh, kam jetuar edhe në vende të tjera, por kemi shumë gjëra të përbashkëta. Ndryshe do të ishte nëse Kosova apo Shqipëria do të luanin kundër Serbisë. Por, me rumunët nuk do të ketë kurrë asnjë problem”, vazhdoi ish-futbollisti i Partizanit të Tiranës, Dinamos së Tiranës, Dinamo Bucuresti, Chornomorets Odesa, Tirana, RNK Split, Vllaznia Shkodër, Kukësi, Shakhtyor Soligorsk, Dinamo Brest e Rukh Brest.

Bakaj ndërkohë i ka paralajmëruar rumunët se i pret një ndeshje e vështirë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Kosova do të jetë e ndihmuar nga tifozët e flaktë në kërkim të fitores së parë në këto eliminatore.

“Prishtina është një stadium i vështirë për të luajtur në të. Në përgjithësi, në Ballkan është e vështirë të luash. Tifozët në këtë zonë janë fanatikë, kujdesen dhe ju japin shumë rëndësi kombëtareve të tyre sepse janë mjaft patriotë. Do të jetë e vështirë sepse do të ketë shumë presion mbi lojtarët rumunë. E di që stadiumi do të jetë plot, të gjitha biletat janë shitur, në tribuna do të jenë rreth 15 mijë tifozë”, përfundoi ish-futbollisti shqiptar.

Ndeshja mes Kosovës dhe Rumanisë do të luhet në Prishtinë më 16 qershor duke filluar nga ora 20:45. 

(Kosova Sot Online )