Edhe një medalje për Kosovën: Laura Fazliu ndahet e bronztë në Grand Slamin e Kazakistanit

  • S.A /
  • 17 June 2023 - 14:51
Edhe një medalje për Kosovën: Laura Fazliu ndahet e bronztë në Grand Slamin e Kazakistanit

Laura Fazliu ka arritur ta fitojë medaljen e bronztë në Grand Slamin e xhudos që po mbahet në Kazakistan.

Xhudistja kosovare në duelin për medalje të bronztë fitoi ndaj ruses Dali Liluashvili me waza-ari, transmeton "Kosova Sot Online".

Laura Fazliu shënoi dy fitore dhe humbi një deri në ndeshjen për repasazh.

Në xhiron e parë ajo ishte e lirë, në xhiron e dytë Fazliu mposhti me Ippon, garuesen vendase, kazakistanezen Esmigul Kuyulova.

Fazliu në çerekfinale humbi me Ippon, nga koreanja Jisu Kim.

Pas asaj ndeshje Laura u kualifikua të ndeshej në repasazh, ku mposhti me dy Wazaari për Ippon, rusen Kamila Badurova.

Akil Gjakova (-73 kg) u rendit i 7-ti, ai shënoi dy fitore dhe dy humbje.

Loriana Kuka (-70 kg) humbi me Ippon kundër holandezes Kim Polling në ndeshjen e parë dhe nuk vazhdoi tutje garën. Kurse dje, Nora Gjakova arriti të fitonte medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 57 kilogramë.

(Kosova Sot Online )