Dardanët po e kryejnë stërvitjen e fundit para udhëtimit në Budapest

  • S.A /
  • 17 June 2023 - 15:39
Dardanët po e kryejnë stërvitjen e fundit para udhëtimit në Budapest

Pasi mbrëmë barazuan ndaj Rumanisë në një ndeshje të vështirë si pasojë e fushës së rënduar nga reshjet e shiut në stadiumin “Fadil Vokrri” (0:0), futbollistët e Kombëtares së Kosovës, sot, kanë vazhduar me agjendën e përgatitjeve për ndeshjen e radhës, transmeton "Kosova Sot Online".

Për të rigjeneruar energjinë dhe fuqinë e tyre, lojtarët që ishin titullarë në ndeshjen e kaluar si dhe Edon Zhegrova, kanë patur një seancë të veçantë rigjeneruese në palestrën e fitnesit në hotel, ndërsa pjesa tjetër e ekipit ka bërë stërvitje intensive në Kampin Nacional në Hajvali.

Ekspedita e Kombëtares do të udhëtojë drejt Budapestit në mëngjesin e nesërm, ku do të zhvillohet ndeshja e radhës tejet e rëndësishme kundër Bjellorusisë. Përkundër zhgënjimit që solli barazimi kundër Rumanisë, djemtë dardanë janë të përgatitur të bëjnë çmos për ta fituar sfidën e radhës. Ndeshja e katërt e kualifikimeve për Euro 2024, Bjellorusi – Kosovë, zhvillohet të hënën në stadiumin “Ferenc Szusza”, në orën 20:45.

(Kosova Sot Online )