Galatasaray i ofron 7 milionë euro për Rashicën

  • A.P /
  • 27 June 2023 - 15:41
Galatasaray i ofron 7 milionë euro për Rashicën

Galatasaray është i vendosur për ta blerë përfundimisht kartonin e Milot Rashicës.

Mediat turke raportojnë se gjiganti turk i ka nisur negociatat me Norwich Cityn për të diskutuar për përfaqësuesin kosovar.

Gjithnjë sipas këtyre mediave, klubi nga Stambolli është i gatshëm t’i paguajë 7 milionë euro, plus bonuse, për futbollistin e krahut.

26 vjeçari shkëlqeu në Turqi në sezonin e parë duke i realizuar gjashtë gola në 30 ndeshje, por tek Galata ai është vetëm i huazuar.

Andaj, edhe vetë vushtrriasi shpreson që klubet të merren vesh mes vete dhe të qëndrojë në Stamboll për një kohë të gjatë.

Klubi nga Championshipi anglez ndërkohe thuhet se i kërkon 11 milionë euro, aq sa e kishte blerë nga Werder Bremeni para dy vjetësh.

Sidoqoftë, palët mund të merren vesh dhe lojtari ofanziv të mbetet tek kampioni i Turqisë.

Trajneri Okay Buruk ka thënë se i do në skuadrën e tij Rashicën dhe Icardin edhe në edicionin 2023/24.

Futbollisti këmbëshpejtë ka kontratë me Norwichin deri më 30 qershor të vitit 2025 por nuk e ka ndërmend të rikthehet në këtë klub, i cili garon në nivelin e dytë të futbollit anglez

Për Rashicën thuhet se interesim ka shfaqur edhe gjiganti tjetër turk, Fenerbahçe.


(Kosova Sot Online)