Njihuni me 11-shen më të shtrenjtë në botën e futbollit që vlen 1,25 miliard euro

  • S.A /
  • 05 July 2023 - 10:49
Njihuni me 11-shen më të shtrenjtë në botën e futbollit që vlen 1,25 miliard euro

Afati kalimtar i verës ka filluar pak ditë më parë dhe është koha e duhur dh ideale për t’i bërë llogaritë. Shumë futbollistë pritet të ndërrojnë mjedis gjatë kësaj vere, e cila mund të jetë mjaft “e nxehtë” në tregun futbollistik, transmeton "Kosova Sot Online ".

Pa dyshim, “goditja” më e madhe e verës mund të jetë Kylian Mbappe, i cili me gjasë do të largohet nga Paris Saint-Germaini, me destinacion La Ligën ose Premierligën.

Por, cilët janë futbollistët më të vlefshëm në botë për momentin?

Ne ua sjellim një nga një, pozitë për pozitë, lojtarët me çmimin më të lartë të momentit në treg, duke filluar nga portieri, për të vazhduar me mbrojtësit, mesfushorët dhe krejt në fund, sulmuesit.

E gjitha kjo duke u bazuar në vlerën që ua ka vendosur lojtarëve portali i njohur dhe ekspert për këtë çështje, “Transfermarkt”.

Në 11-shen më të vlefshme në botë në portë është vendosur portieri i Milanit, Mike Maignan.

Përfaqësuesi francez, i cili për momentin është njëri prej më të mirëve në botë në këtë moment, vlen 45 milionë euro.

Në mbrojtjen me tre, në të djathtë është vendosur mbrojtësi i Bayern Munichut, Matthij de Ligt.

Përfaqësuesi holandez, dikur pjesë e Ajaxit dhe e Juventusit, vlerësohet 75 milionë euro.

Në zemër të mbrojtjes e gjejmë futbollistin e Manchester Cityt, Ruben Dias.

Qendërmbrojtësi portugez, i cili i ndihmoi “Citizens” t’i fitojnë tre trofe të rëndësishëm në sezonin e fundit, peshon 80 milionë euro.

Në mbrojtjen ideale gjen vend edhe mbrojtësi i Leipzigut, Josko Gvardiol.

Përfaqësuesi kroat, i cili shumë shpejt do të përfundojë në Manchester City, vlen 75 milionë euro, ndërsa ai e kompleton kështu edhe repartin defanziv.

Kalojmë në mesfushë, shkruan “Gazeta Express”.

Jude Bellingham e gjen veten në 11-shen më të vlefshme falë paraqitjeve fenomenale me Borussia Dortmundin.

Siç dihet tashmë, së fundmi përfaqësuesi anglez iu bashkua Real Madridit, me të cilin synon ta vazhdojë formën optimale.

Në listën e lojtarëve më të vlefshëm në botë nuk kish se si të mungonte Jamal Musiala.

Mesfushori i Bayern Munichut shihet si një lojtar më të ardhme të ndritshme.

Për këtë arsye, vlera e tij momentale është 110 milionë euro.

Phil Foden nuk luajti rregullisht në sezonin e fundit, jo për fajin e tij, por për shkak të Jack Grealish shfaqi formë jetësore.

Por, ky fakt nuk e zbeh aspak vlerën e mesfushorit ofanziv të Manchester Cityt.

Përfaqësuesi anglez e gjen veten në mesin e yjeve më të vlefshëm në tregun aktual të futbollit dhe vlera e tij është 110 milionë euro.

Krahët e sulmit janë vërtetë të frikshëm.

Në të majtë s’kish se kush të ishte përpara Vinicius Junior.

Ylli i Real Madridit vlerësohet hiç më pak se 150 milionë euro dhe sot për sot është lojtari më i mirë në botë në atë pozitë.

Edhe krahu i djathtë i sulmit është në duar të sigurta.

Bukayo Saka ishte solid në vazhdimësi me Arsenalin dhe me të drejt konsiderohet si njëri prej më të mirëve në atë pozitë.

Përfaqësuesi anglez vlerësohet 120 milionë euro në treg sot.

Dy sulmuesit e 11-shes më të shtrenjtë për momentin janë njëherësh edhe më të vlerësuarit në këtë ekip.

Erling Haaland e kaloi një sezon të paharrueshëm me Manchester Cityn, duke e vazhduar serinë mbresëlënëse të viteve të fundit që e kishte me Salzburgun dhe me Borussia Dortmundin.

Sulmuesi norvegjez i priu sulmit të “Citizens”, të cilët e fituan “Treble” në sezonin e tyre historik.

Për këtë arsye, vlera e qendërsulmuesit më të mirë në botë të momentit është 180 milionë euro, shkruan “Gazeta Express”.

Përkrah Haalandit në sulm në ekipin më të vlefshëm në botë gjendet kush tjetër pos Kylian Mbappes.

Ylli i Paris Saint-Germainit është sulmuesi më i kompletuar në botë i momentit.

Përfaqësuesi francez, i cili këtë verë mund të transferohet në Real Madrid, por që e duan edhe Liverpooli e Manchester United, vlen 180 milionë euro.

Ky pra është ekipi më i vlefshëm i momentit, i cili mund të ndryshojë me kohë, varësisht prej performancave të lojtarëve.

Duhet cekur se vlera e 11-shes më të vlefshme të momentit në botë është 1,25 miliard euro. /Gazeta Express/

Portier: Mike Maignan 45 milionë euro

Mbrojtës i djathtë: Matthijs de Ligt 75 milionë

Qendërmbrojtës: Ruben Dias 80 milionë euro

Mbrojtës i majtë: Josko Gvardiol 75 milionë euro

Mesfushor: Jude Bellingham 120 milionë euro

Mesfushor: Jamal Musiala 110 milionë euro

Mesfushor: Phil Foden 110 milionë euro

Sulmues krahu: Vinicius Junior 150 milionë euro

Sulmues krahu: Bukayo Saka 120 milionë euro

Sulmues: Erling Haaland 180 milionë euro

Sulmues: Kylian Mbappe 180 milionë euro

Image

(Kosova Sot Online )