Arrihet marrëveshja e plotë, Milani siguron Pulisicin

  • E.K /
  • 07 July 2023 - 20:11
Arrihet marrëveshja e plotë, Milani siguron Pulisicin

Milani ka kompletuar marrëveshjen për transferimin e Christian Pulisicit.

Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, ka bërë të ditur se marrëveshje mes klubeve është arritur pasi klubi londinez ka pranuar ofertën përfundimtare.

Pulisic kishte rënë dakord javë më parë për kushtet personale me klubin italian. Ai e dëshironte vetëm kalimin në “San Siro”.

Tani janë duke u planifikuar udhëtimi dhe testet mjekësore, teksa pastaj ai do të mund të zyrtarizohet te “Kuqezinjtë”.

Sipas Romanos, marrëdhëniet e shkëlqyera midis Chelseat dhe Milanit ishin vendimtare për t’u arritur marrëveshja sot.

Reprezentuesi amerikan thuhet se po bënte presion që nga e hëna për t’iu bashkuar “Rossonerëve”, duke mos marrë parasysh ndonjë klub apo destinacion tjetër.

Milanit do t’i kushtojë ky transferim më shumë se 20 milionë euro, përfshirë bonuset.

Christian Pulisic do të bëhet futbollisti i dytë që largohet nga “Blutë” për t’u transferuar te klubi nga Milano, pas Ruben Loftus-Cheek. 

(Kosova Sot Online)