Thyhet rekordi i Grealish, Rice bëhet anglezi më i shtrenjtë në histori

  • S.A /
  • 15 July 2023 - 16:00
Thyhet rekordi i Grealish, Rice bëhet anglezi më i shtrenjtë në histori

Arsenali ka njoftuar edhe zyrtarisht se ka kompletuar transferimin e Declan Rice nga West Ham United, shkruan "Kosova Sot Online ".

Mesfushori anglez është prezantuar sot, teksa i është bashkuar edhe ekipit të Mikel Artetas në përgatitjet para-sezonale. Rice, i cili ishte objektivi kryesor i Arsenalit këtë verë, ka nënshkruar kontratë afatgjate, të vlefshme deri në verën e vitit 2028, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon më shumë.

Transferimi i 24-vjeçarit është rekord për “Topçinjtë”, por edhe në futbollin anglez, pasi ai bëhet anglezi më i shtrenjtë në histori.

Në total, Arsenali do të paguajë 105 milionë funte për Rice, përfshirë edhe bonuset.

Kësisoj, reprezentuesi i Anglisë theu rekordin e Jack Grealish, që në vitin 2021 ishte transferuar nga Aston Villa te Manchester City për 100 milionë funte.

Te Arsenali rekordi për transferimin më të shtrenjtë mbahej nga Nicolas Pepe, për të cilin klubi kishte paguar 80 milionë euro në vitin 2019, për transferimin e tij nga Lille.

(Kosova Sot Online )