Acarohet situata tek kundërshtarja e kombëtares shqiptare

  • S.A /
  • 18 July 2023 - 11:01
Acarohet situata tek kundërshtarja e kombëtares shqiptare

Probleme në horizont për kombëtaren polake të futbollit. Kundërshtarët e përfaqësueses sonë në kualifikueset e Euro 2024 po përballen me tensione të vazhdueshme me tifozët. transmeton "Kosova Sot Online".

Një grup i tyre, njohur si Ultras Polska 23 kanë premtuar se do bojkotojnë ndeshjen e radhës të kombëtares për të protestuar kundër Federatës Polake të Futbollit.

Ata do përfitojnë nga përballja e 7 shtatorit kundër Ishujve Faroe për të protestuar, sfidë që luhet pak ditë para se Polakët të udhëtojnë drejt vendit tonë për duelin e 10 shtatorit në ‘Air Albania’.

Tifozët polakë janë shumë kritikë për çmimin e lartë të biletave dhe organizimin e dobët të ndeshjeve të kombëtares, teksa do mungojnë në duelin e Varshavës për të shfaqur dukshëm ankesat e tyre kundër federatës polake.

Kjo formë proteste konsiderohet si masë presioni për të arritur objektivat e tyre.

Në muajin shtator, Polonia do të luajë ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Ishujve Faroe dhe Shqipërisë, shkruan klannews.

Skuadra e Fernando Santos nuk e ka nisur aspak mirë fazën kualifikuese të Europianit që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

Me një fitore dhe dy humbje në tre sfidat e para, Polonia zë vendin e katërt në Grupin E, distancuar me tre pikë nga kombëtarja jonë, që shpreson një prej dy pozicioneve të para në grup për t’u kualifikuar.

(Kosova Sot Online )