Kosova synon ta nisë mbarë sonte kampanjën në parakualifikimet e Eurobasket 2025

  • S.A /
  • 19 July 2023 - 13:11
Kosova synon ta nisë mbarë sonte kampanjën në parakualifikimet e Eurobasket 2025

Kombëtarja e Kosovës në basketboll do ta nisë sonte rrugëtimin në rrethin e tretë parakualifikues për Eurobasket 2025, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Dardanët” do ta presin Kombëtaren e Zvicrës në njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme të viteve të fundit në basketboll. Verdhekaltrit do t’i presin “Helvetikët” në Palestrën e Sporteve “Sezai Surroi”, në ndeshjen që do të fillojë në orën 20:45. Përzgjedhësi i Kosovës, Rami Hadar, është shprehur optimist para sfidës së sontme, ku tifozët “Dardanët” pritet ta japin kontributin e tyre nga tribunat.


“Mund të them se jam i kënaqur me angazhimin e basketbollistëve në stërvitje dhe kushteve të ofruar nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Kemi analizuar sa kemi mundur Zvicrën, ku njohim lojtarët dhe trajnerin. Do të japim më të mirën për rezultat pozitiv”, ka thënë trajneri izraelit.

Kurse, kapiteni Dardan Berisha e ka kërkuar përkrahjen nga “Dardanët”, duke premtuar ndërkohë që ai me shokë do ta japin më të mirën nga vetja për ta gëzuar publikun kosovar.

“Nuk ka qenë lehtë, pasi ka qenë 2 muaj pushim, por besoj se jemi gati dhe do të japim maksimumin. Të mërkurën është ndeshja e parë dhe tepër me rëndësi me ne. Përkrahja nga tifozët është shumë e rëndësishme për ne. Kushtet kanë qenë të mira nga ana e FBK-së dhe me punën e trajnerit që ka bo, jemi gati. Besoj që palestra do të jetë e mbushur dhe do të kemi përkrahjen e tyre. Ne do të japim 100 % nga vetja jonë. Mendoj se jemi më të fortë se herët e kaluara, pasi Lisi (Shoshi) dhe Dardani (Kapiti) janë rikthyer në kombëtare. E rëndësishme për ne është të luajmë lojën tonë”, deklaroi Berisha.

Kosova do të luajë për herë të parë në Prizren.

Krahas ndeshjes me Zvicrën, Kosova më pas do t’i zhvillojë dy takime në udhëtim, me Danimarkën më 26 korrik dhe me Zvicrën më 29 korrik.

Ndeshja e fundit do të jetë më 5 gusht ndaj Danimarkës, po ashtu në Prizren. Vetëm vendi i parë kualifikohet tutje. 

(Kosova Sot Online )