Kush janë sportistët më të paguar në botë?

  • A.P /
  • 19 July 2023 - 17:10
Kush janë sportistët më të paguar në botë?

Cristiano Ronaldo ka thyer rekorde të shumta në vitet e fundit dhe ylli portugez po vazhdon ta bëjë ende një gjë të tillë.

Edhe pse 38 vjeç dhe në përfundim të karrierës, “CR7” e ka shkruar prapë emrin e tij në librin e rekordeve botërore “Guinness”.

Këtë radhë, pesë herë fituesi i Topit të Artë e mban primatin në listën e sportistëve më të paguar në botë për vitin 2023.

Revista amerikane “Forbes” raporton se Ronaldo i ka përfituar rreth 120 milionë euro në 12 muajt e fundit.

Natyrisht, kjo nuk është hera e parë që Ronaldo futet në “Guinness”, shkruan “Gazeta Express”.

Ai hyri në librin e rekordeve botërore edhe në muajin qershor kur e zhvilloi ndeshjen numër 200 me Kombëtaren e Portugalisë, me të cilën i ka realizuar 123 gola.

Gjithashtu, ai e mban rekordin për më së shumti gola të realizuara në Ligën e Kampionëve, plot 140.

Ronaldo po ashtu është lojtari më i vjetër që ka shënuar “hat-trick” në Kupën e Botës, më saktësisht si 33 vjeç e 130 ditë.

Ai është mbret edhe në rrjetet sociale.

Në Instagram, për shembull, Ronaldon e ndjekin plot 596 milionë njerëz.

Portugezi, në listën e fitimeve më të larta vjetore ia mori primatin liderit afatgjatë dhe rivalit të tij të përhershëm, Lionel Messi.

Kampioni i botës ishte sportisti më i paguar në botë në vitin 2022 me 115 milionë euro.

Futbollisti jug-amerikan e ka fituar këtë shumë në mënyrë të barabartë midis 65 milionë dollarëve fitime në fushë dhe 65 milionë dollarëve fitime jashtë fushës.

36 vjeçari iu bashkua së fundmi Inter Miamit, me të cilin nënshkroi për dy vjet e gjysmë.

Në këtë periudhë, shtatë herë fituesi i Topit të Artë” do t’i përfitojë mbi 100 milionë euro në klubin amerikan

Messi e kompletoi karrierën e tij të lavdishme pasi e fitoi Kupën e Botës me Argjentinën në fund të vitit 2022.

Njëjtë si Ronaldo, edhe ish-futbollisti i Barcelonës dhe i Paris Saint-Germainit i dha fund eksperiencës së suksesshme evropiane.

Kylian Mbappe përfundoi në pozitën e tretë me fitime vjetore prej 106 milionë eurosh.

Pjesën dërrmuese të tyre, mos të themi 90 për qind të shumës, nënkampioni i botës i ka fituar nga rroga, e pjesën tjetër nga reklamat.

Ylli francez e gëzon një kontratë stratosferike me Paris Saint-Germain, ndonëse po planifikon të largohet nga Parisi këtë verë, për t’iu bashkuar Real Madridit.

Mbappe njëherësh është futbollisti më i paguar në kampionatin francez të futbollit dhe prej më të paguarve në Evropë.

Legjenda e NBA-së, LeBron James e gjen veten në vendin e katërt me 105 milionë euro të hyra në 12 muajt e fundit.

Basketbollisti amerikan është njëri prej më të paguarve në ligën më të fortë në botë.

Ndonëse pritej të pensionohej, ylli i Los Angeles Lakers ka vendosur të vazhdojë të luajë, së paku edhe një vit.

(FOTO 13) Vendi i pestë është rezervuar për boksierin Canelo Alvarez.

Meksikani i përfitoi 97 milionë euro në periudhën 2022/2023.

Pa dyshim, 33 vjeçari është boksieri më i paguar në botë aktualisht, shkruan “Gazeta Express”.

E vendi i gjashtë dhe ai i shtatë janë rezervuar për atë që quhet si sporti i bardhë, pra për tenisin.

Legjendat e tenisit, Roger Federer dhe Serena Williams ishin më të paguarit edhe pse u pensionuan në vitin 2022.

Legjendari zviceran i fitoi afro 85 milionë euro në 12 muajt e fundit, natyrisht pjesa dërrmuese prej tyre nga reklamat.

E tenistja e paharrueshme amerikane e kapi shifrën e 40 milionë euro përfitime në këtë periudhë.

Edhe fituesja e shumëfishtë e Grand Slam, pjesën më të madhe të këtyre të hyrave i pati nga marketingu.

Revista “Forbes” i llogarit të ardhurat e sportistëve bazuar në të dhënat e marra nga ekspertë të industrisë, raportet e lajmeve dhe bazat e të dhënave të pagave.

Natyrisht, kjo renditje mund të pësojë ndryshime drastike në vitin e ardhshëm duke i pasur parasysh, mbi të gjitha, shpenzimet e klubeve të futbollit në Arabinë Saudite. 

(Kosova Sot Online)