Buffon pensionohet nga futbolli: Kjo ishte e tëra njerëz

  • A.P /
  • 02 August 2023 - 16:26
Buffon pensionohet nga futbolli: Kjo ishte e tëra njerëz

Legjenda italiane, Gianluigi Buffon është pensionuar nga futbolli.

45 vjeçari e ka zyrtarizuar vendimin e tij të vështirë por të pashmangshëm përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Kjo është e tëra njerëz. Ju më dhatë gjithçka. Unë ju dhashë gjithçka. Ne ia dolëm së bashku”, ka shkruar Buffon në “Twitter”

Kampioni i botës me Italinë e shijoi një karrierë të jashtëzakonshme 28 vjeçare, ndërsa në dy sezonet e fundit luajti për ekipin e fëmijërisë së tij, Parma në Serie B.

Veterani i portës e mbylli para kohe kontratën me Parmën, e cila do t’i skadonte në qershor të vitit 2024.

Buffon konsiderohet si njëri prej portierëve më të mirë në histori të futbollit.

Ai i kaloi dy dekada në Juventus, ndërsa në edicionin 2018/19 ishte pjesë e Paris Saint-Germainit.

Gigi e bëri debutimin në futbollin profesionist në Parma në moshën 17 vjeçare në vitin 1995, ndërsa katër vjet më vonë e fitoi Kupën e Italisë, Kupën UEFA dhe Superkupën e Italisë me këtë klub.

Ai u transferua në Juventus në vitin 2001 për 52 milionë euro, në atë kohë rekord botëror për një portier.

Me Juventusin, Buffon i ka fituar 10 tituj të Serie A në 19 sezone, si dhe kampionatin Serie B në sezonin 2006-07 kur klubi ishte përjashtuar nga Serie A shkaku i përfshirjes në skandalin Calciopoli. 

(Kosova Sot Online)