Ronaldo vjen me një postim motivues pas fitores së madhe të arritur mbrëmë

  • E.K /
  • 23 August 2023 - 09:06
Ronaldo vjen me një postim motivues pas fitores së madhe të arritur mbrëmë

Nata e mbrëmshme ishte speciale për Cristiano Ronaldon.

Ylli portugez e shijoi një fitore të madhe më përmbysje me ekipin e tij, Al Nassr në ndeshjen e barazhit për t’u kualifikuar në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve të Azisë.

Ekipi i tij po humbiste 1:2 deri në minutat e fundit nga Shabab Al-Ahli, por përmbysi gjithçka në ato momente.

Falë dy golave të Taliscas (11’ e 90+5’) dhe nga një të Sultan Al-Ghannam (88’) e Marcelo Brozovic (90+7’), “CR7” me shokë e festuan një fitore speciale, e cila ua mundëson të jenë pjesë e garës më prestigjioze aziatike në futboll.

“Ndeshje e vështirë, por fitore e rëndësishme për t’u kualifikuar në Champions Leaguen Aziatike. Gjithmonë beso në fund. Kurrë mos u dorëzo”, shkroi njëri prej futbollistëve më të mirë në histori.

Kjo fitore vjen vetëm pak ditë pas triumfit në Kupën e Kampionëve të Klubeve Arabe, të cilën Ronaldo ia solli ekipit të tij, Al Nassr.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë tash do të synojë ta fitojë ligën Saudi Pro League, ku në sezonin e kaluar përfundoi në vendin e dytë me ekipin e tij. 

(Kosova Sot Online)