Iu hodh 'në qafë' Haaland-it dhe festoi golin, tifozi rezulton se ishte ish-kampioni i botës

  • S.A /
  • 28 August 2023 - 16:19
Iu hodh 'në qafë' Haaland-it dhe festoi golin, tifozi rezulton se ishte ish-kampioni i botës

Një skenë interesante ka ndodhur pasi Erling Haaland shënoi një gol për të kaluar Manchester Cityn në epërsi ndaj Sheffield United dje, teksa një tifoz i “Qytetarëve” u fut në fushë dhe u hodh mbi futbollistin dhe festoi golin me të, transmeton "Kosova Sot Online ".

Në një fund të çmendur, City festoi një fitore 2-1 ndaj Sheffield në Bramall Lane. Rodri shënoi golin e fitores, por skenën më interesante patëm rastin ta shihnim pak më herët.

Pas golit të parë të Cityt në ndeshje, atë të shënuar nga Erling Haaland nga krosimi i Jack Grealish, një tifoz i skuadrës mike vrapoi në fushë dhe festoi me pasion golin me sulmuesin norvegjez. 

Tifozi u hodh mbi Haaland dhe festoi golin, përpara se stjuardët ta tërhiqnin zvarrë nga fusha. Sot anglezët gjetën një histori shumë më interesante që na tregon se ky nuk është një tifoz i “zakonshëm” i Cityt.

Njeriu që u hodh mbi Haaland është Terry Flanagan, një ish-kampion bote në boks. Tifozi 34-vjeçar u bë kampion bote në kategorinë e peshave të lehta WBO në vitin 2015 dhe më pas e mbrojti rripin në disa raste.

Megjithatë, ditët e boksit qëndrojnë pas këtij tifozi që ka rifituar famë botërore. Ai zhvilloi luftën e tij të fundit në vitin 2019. 

Me kalimin e viteve, ai kurrë nuk e fshehu dashurinë e tij për Manchester Cityn dhe shpesh shfaqej në fushën e Etihad. Gjithashtu, në konferencat para ndeshjeve të boksit, ai vinte i veshur me një fanellë të Manchester Cityt.

(Kosova Sot Online )