Shkarkohet Jorge Vilda – trajneri i Kombëtares së Grave të Spanjës

  • A.P /
  • 05 September 2023 - 17:33
Shkarkohet Jorge Vilda – trajneri i Kombëtares së Grave të Spanjës

Fituesi i Botërorit të Spanjës, Jorge Vilda ëështë shkarkuar nga posti i tij pas ndryshimeve të mëdha që ndodhën në Federatën e Futbollit të Spanjës në krye me skandalin e presidentit Luis Rubiales

Vilda udhëhoqi Spanjën muajin e kaluar për ta fituar Botërorin ku ata mposhtën Anglinë në finale me rezultat 1-0, pavarësisht se ishte përballur me një rebelim një vit më parë, kur shumica e skuadrës kishte kërkuar që ai të largohet nga ky post.

Si rezultat i asaj trazire, 15 futbolliste kishin thënë se nuk do të luanin për Kombëtare derisa ai të largohet. Megjithatë, Federata e Futbollit të Spanjës e përkrahu Vildan, në veçanti ai ishte përkrahur nga presidenti Luis Rubiales. Presidenti madje i kishte premtuar Vildas kontratë të re pasi që Spanja e fitoi Botërorin.

Por, pozita e presidentit tashmë është tronditur me vendimin e FIFA-së për ta suspenduar atë nga të gjitha aktivitetet sportive për 90 ditë pasi që ai puthi me dhunë kapitenen Jenni Hermoso pas finales. Rubiales refuzoi të japë dorëheqje gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp por suspendimi i FIFA-së do të thotë që ai përkohësisht do të largohet nga RFEF, me Pedro Rocha që është president në detyrë.

RFEF me anë të një deklarate ka lajmëruar që Vilda është shkarkuar të martën, pak orë pasi ata kërkuan falje për sjelljet e pahijshme të Rubiales të cilat i quajtën “të papranueshme”.

“Federata Mbretërore e Futbollit Spanjoll, në një ndër masat e para për ta rirregulluar imazhin nga Presidenti Pedro Rocha ka vendosur që ta shkarkojë nga detyra Jorge Vilda si drejtor sportiv i Kombëtares së grave të Spanjës”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë.

(Kosova Sot Online)