Kombëtarja zhvillon seancën e fundit në ‘Shtëpinë e Futbollit’

  • A.P /
  • 05 September 2023 - 20:52
Kombëtarja zhvillon seancën e fundit në ‘Shtëpinë e Futbollit’

Kombëtarja shqiptare ka vijuar përgatitjet në ditën e dytë për dy ndeshjet e shtatorit ndaj Republikës Çeke dhe Polonisë, të vlefshme për kualifikueset e Europianit 2024. Skuadra ka zhvilluar pasditen e sotme seancën e radhës stërvitore në në fushat e Shtëpisë së Futbollit.

Departmenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se përveç mesfushorit Qazim Laçi, i cili është lënë pushim edhe sot për shkak të gjendjes gripale, trajneri Silvinjo i ka pasur në dispozicion të gjithë lojtarët e tjerë të grumbulluar për këto dy sfida.

Fillimisht, kuqezinjtë kanë punuar në palestër e më pas kanë punuar në fushë, ku bashkë me lojtarët e Kombëtares A, janë stërvitur edhe shtatë futbollistë të ekipit U-19. Skuadra është fokusuar në aspekte të veçanta të lojës gjatë stërvitjes së pasdites.

Sakaq, edhe paraditen e sotme, kuqezinjtë kanë zhvilluar një tjetër seancë stërvitore me dyer të mbyllura. Futbollistët e ekipit kombëtar u ndanë në dy grupe, duke zhvilluar stërvitje të diferencuara në reparte të ndryshme të fushës.

(Kosova Sot Online)