Silvinjo dhe Gjimshiti: Kemi gjithçka për ta marrë maksimumin

  • A.P /
  • 06 September 2023 - 19:41
Silvinjo dhe Gjimshiti: Kemi gjithçka për ta marrë maksimumin

Në prag të përballjes së parë të muajit shtator kundër Republikës Çeke, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’, që do të luhet mbrëmjen e së enjtes në stadiumin ‘Fortuna Arena’, në ora 20:45, trajneri i Shqipërisë, Sylvio Mendes Campos Junior dhe mbrojtësi i ekipit kombëtar, Berat Gjimshiti dolën në konferencën zyrtare për media.

Ndërsa iu përgjigj interesit të mediave shqiptare dhe çeke, trajneri Silvinjo u shpreh se përballja me Çekinë është shumë e rëndësishme dhe koha në dispozicion për të përgatitur këtë ndeshje ka qenë e pakët. E megjithatë, tekniku i ekipit tonë kombëtar është shprehur shumë i kënaqur për gjendjen e lojtarëve të grumbulluar dhe për gatishmërinë e tyre. Trajneri Silvinjo vlerësoi kundërshtarin çek ndërsa tha ndër të tjera se ende nuk e ka vendosur formacionin e 11 titullarëve që do të zbresin në fushë nga minuta e parë për ndeshjen kundër Çekisë. Mesazhi për kuqezinjtë është një i vetëm: Nuk duhet të mungojë përqëndrimi në fushën e lojës.

Si i kam motivuar lojtarët për sfidën kundër Çekisë? – Është një ndeshje e rëndësishme. Kanë qënë dy ditë, kështu është këtë herë, ka qënë një periudhë që duhet të menaxhonim lojtarët, të punonim me video, nuk kemi pasur mundësi të punojmë shumë në fushë, por me video. Kemi punuar fort duke analizuar kundërshtarin dhe përgatitur në mënyrën më të mirë. Ka qënë një kohë e pakët ku kemi menaxhuar skuadrën në nivel individual dhe si grup ku kemi ndarë informacion. Jam i kënaqur për gjëndjen e skuadrës. Motivimi është i lartë dhe duhet të them se nesër është një ndeshje e vështirë, djemtë e dinë këtë dhe ata janë mësuar të luajnë në të tilla ndeshje. E qartë që kërkohet një përgjegjësi më e madhe këtë herë, duke parë ndeshjen që kemi përpara. Ne e ndjejmë përgjegjësinë që kemi, këto janë ndeshje për t’u shfrytëzuar në mënyrën më të mirë. Janë ndeshje të rëndësishme dhe të gjithë duan të luajnë. Jam shumë i lumtur për këtë.

Formacioni i i Shqipërisë kundër Çekisë – Ne akoma nuk kemi vendosur për disa pozicione se kush do të luajë. Kemi bërë një rrugë të mirë deri më tani. Ndihemi mirë me mënyrën e lojës. Duhet të menaxhojmë mirë të gjithë lojtarët. Nesër në mëngjes do të zhvillojmë dhe një seancë të fundit. Kush është në 100%-shin e tij do të zbresë në fushën e lojës si titullar. Është një ndeshje që kërkon nivel përqendrimi shumë të lartë. Nëse ka diçka që duhet t’i thuhet lojtarëve në përgatitje është se në këto ndeshje, përqendrimi nuk duhet të mungojë. Ata janë një skuadër shumë e fortë, kanë një trajner që ndodhet këtu prej disa vitesh. Ai ka lojtarë shumë të fortë. Do të jetë një ndeshje e bukur. Të shikojmë nesër por më duhet të them se ne si skuadër kemi tashmë një mënyrë loje, kemi bërë një rrugë të mirë deri më tani, duhet të ecim në drejtimin e duhur. Nesër mbetet për t’u parë.

(Kosova Sot Online)