A po shkon drejt pensionit Hazard?

  • A.P /
  • 06 September 2023 - 22:52
A po shkon drejt pensionit Hazard?

Në një dokumentar të ri, Eden Hazard ka dhënë shenja që ai do të pensionohet nga futbolli në të ardhmen e afërt.

Në një triler të një dokumentari që do të transmetohet për Kombëtaren e Belgjikës, që quhet “Believe”, Hazard dëgjohet duke thënë:

“Edhe pak dhe është koha që ta shijoj jetën me familjen time dhe shokët. Të pijë pak birra Jupiler”.

Siç raporton as.com, transmeton gazetaexpress, 32 vjeçari duket se është duke e marrë në konsideratë pensionin pas një sezoni tepër të dobët në kryeqytetin spanjoll. Megjithatë, ai ruan ende një dashuri për Kombëtaren e ti. “Gjithmonë do të jem një tifoz i Djajve të Kuq të Belgjikës. Gjithmonë e vendos shiritin e Kombëtares, ky ishte një nder i madh për mua”, ka shtuar ai.

Belgu është konsideruar me të drejtë si njëri prej sulmuesve më të mirë të gjeneratës së tij, por pas kalimit për një çmim të lartë në Real Madrid më 2019 ai ka vuajtur për formë.

Në katër vite ai vazhdimisht është lënduar ku arriti të shënojë vetëm shtatë gola dhe bërë vetëm 12 asiste, shumë pak për një futbollist të kalibrit të tij. Tani, Hazard është futbollist pa kontratë dhe duket se është duke marrë në konsideratë që ta lërë përfundimisht futbollin.

Kur do të transmetohet në tërësi dokumentari, ndoshta do të kemi një fotografi më të qartë të asaj së çfarë është duke ndodhur apo çfarë është duke kaluar në kokën e ish yllit të Chelsea.

(Kosova Sot Online)