Kurti del me një urim special për fitoren e Shqipërisë ndaj Polonisë: Fundjavë e jashtëzakonshme

  • S.A /
  • 11 September 2023 - 08:44
Kurti del me një urim special për fitoren e Shqipërisë ndaj Polonisë: Fundjavë e jashtëzakonshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i ngazëllyer pas fitores së Kombëtares së Shqipërisë ndaj asaj të Polonisë me rezultat 2-0, në kuadër të kualifikimeve Euro 2024, transmeton "Kosova Sot Online ".

Kurti, me anë të një postimi në ‘Facebook’, vlerësoi se ishte një javë e suksesshme në sport për Kosovën dhe Shqipërinë.

“Ndeshje e paharrueshme futbolli që Shqipërinë e bën të dalë e para në grupin e saj. Urime! Me golin e sulmuesve Jasir Asani nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut dhe Mirlind Daku nga Gjilani i Kosovës, si dhe me futbollistë edhe nga Lugina e Preshevës, të përbashkuar me një qëllim: kualifikimi për EURO 2024. Fitorja e mbrëmshme 2:0 përmbylli një fundjavë të jashtëzakonshme të vendeve tona e sportit te ne. Bravo!”, ka thënë ai.

Goli i dytë mbrëmë u shënua nga Mirlind Daku, 25-vjeçari nga Gjilani i Kosovës, gol ky vendimtar që ngriti Shqipërinë në vendin e parë në grup.

(Kosova Sot Online )