Qëndrimi qesharak i huliganëve rumunë, bojkotojnë ndeshjen ndaj Kosovës e thonë se nuk do të duhej të luhej

  • S.A /
  • 12 September 2023 - 11:06
Qëndrimi qesharak i huliganëve rumunë, bojkotojnë ndeshjen ndaj Kosovës e thonë se nuk do të duhej të luhej

Thirrje anti-Kosovë me shumë gjasa do të ketë të martën mbrëma në “Arena Nationala” në Bukuresht, transmeton "Kosova Sot Online".

Tifo-grupe nga Rumania, përkatësisht grupe huliganësh rumunë, kanë qëndrim kundër Kosovës dhe këtë thuajse me siguri do ta shprehin në ndeshjen ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës. Ndeshja zhvillohet prej orës 20:45 dhe u takon eliminatoreve për “Euro 2024”.

Një grup huliganësh, i njohur si “Honor et Patria”, megjithatë nuk do të jetë në stadium në Bukuresht. Ky grup ka një qëndrim thuajse qesharak. Nga ky grup kanë vendosur ta bojkotojnë ndeshjen me Kosovën, pasi thonë se ajo as që do të duhej të luhej. “Honor et Patria”, që njihet për qëndrimet radikale, e vlerëson Kosovën pjesë të Serbisë.

“Duke respektuar vendimin të marrë në fillim të kualifikimeve për të bojkotuar dy ndeshjet me të ashtuquajturën ‘përfaqësuese’ të Kosovës, të martën ne nuk do të jemi në stadium. Megjithatë, ne duam t’u bëjmë thirrje shikuesve që do të jenë në stadium. Mbështetni grupet që do të jenë të pranishme në tribunë në pohimin e së vërtetës edhe nëse kjo nuk i shkon për shtat mafisë së UEFA-s: për Rumaninë, Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë dhe kjo ndeshje ‘ndërkombëtare’ nuk do të duhej të ndodhte kurrë”, ka shkruar “Honor et Patria” në faqen zyrtare në Facebook.

Huliganët rumunë tashmë kanë bërë provokim të rëndë ndaj Kosovës. Madje këtë e kanë bërë në Prishtinë, në qershor, në ndeshjen e parë mes Kosovës dhe Rumanisë. Dhjetëra huliganë të grupit “Uniti sub tricolor” kishin hyrë në “Fadil Vokrri”. Kanë thirrur “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi”.

Huliganët e këtij grupi ishin mburrur për udhëtimin në Kosovë dhe për thirrjet që kishin bërë. Provokimet i kishin vazhduar përmes rrjeteve sociale. Huliganët rumunë ishin ndalur në Beograd në rrugën drejt Kosovës. Në Serbi kishin shpalosur panon me mesazh tjetër provokues e ëndërrimtar: “Kosova nuk është shtet i vërtetë, por vetëm pjellë e imagjinatës”.

Nga stadiumi ishin larguar pa përfunduar ndeshja, me intervenim të policisë së Kosovës.

Rumania nuk e njeh shtetin e Kosovës. Por detyrohet të luajë ndaj Kosovës si ndaj të gjitha përfaqësueseve të tjera. Kur u hodh shorti për kualifikime, në Rumani kishte pasur ide që të bojkotohen ndeshjet ndaj Kosovës. Por propozimet e tilla u refuzuan menjëherë, duke marrë për bazë qëndrimin strikt të UEFA-s sa i takon barazisë së anëtareve të saj.

Anëtarët e “Uniti sub tricolor” do të jenë në stadium për ndeshje me Kosovën. Dhe provokimet nuk pritet të mungojnë.

(Kosova Sot Online )