Ademi asnjë fjalë për përgjegjësit e rezultateve të dobëta të Kosovës

  • A.P /
  • 13 September 2023 - 17:29
Ademi asnjë fjalë për përgjegjësit e rezultateve të dobëta të Kosovës

Kryetari i Federatës së futbollit të Kosovës ka reaguar sot me një status të gjatë në Facebook për ndeshjen Rumani – Kosovë ku nuk ka lënë askënd përgjegjës për rezultatet e dobëta të Kosovës në gjashtë xhirot e zhvilluara për eliminatore në Euro 2026, ku Kombëtarja kosovare tashmë është pothuajse e eliminuar nga gara dhe në vendin e parafundit në grup . Ademi ka paralajmëruar ankesë edhe në CAS dhe UEFA për ndeshjën e mbrëmshme

Në statusin e tij të gjatë Ademi fillimisht ka thënë se synimi i Federatës ka qenë që në dy ndeshjet e shtatorit të dalin me rezultate pozitve.

Madje, ai në këtë status ka folur edhe në emër të tifozëve “Dardanët”, edhe pse tifozët dhe federata janë dy pole të ndara dhe për Dardanët flet lideri i tyre i zgjedhur e jo Kryetari i Federatës.

“Dëshira, vullneti e përgatitja e futbollistëve dhe e të gjithëve neve në federatë, por edhe e tifozëve “Dardanët” ka qenë që dy ndeshjet e këtij muaji t’i përmbyllim me rezultate pozitive”, thuhet në fullim të këtij statusi, derisa barazimin ndaj Zvicrës, Ademi e ka cilësuar si rezultat pozitiv.

Tutje ai ka folur për ndeshjen e mbrëmshme ku Kosova humbi me rezultat 2-0 nga Rumania.

“Provokimi i rëndë nga tifozëria rumune shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes për një periudhë të gjatë. Ndeshja rifilloi me insistimin e gjyqtarit pas tërheqjes së pankartave diskriminuese e raciste ndaj vendit tonë, ndonëse thirrjet e kohëpaskohshme kundër futbollistëve dhe shtetit tonë vazhduan”, ka vazhduar në reagimin e tij Ademi.

“I gjithë ky episod ndikoi pashmangshëm tek ekipi ynë. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte në fund të pjesës së parë gjyqtari e përjashtoi nga loja sulmuesin tonë, duke bërë që tek kundërshtari të kalojë edhe epërsia numerike.  Sidoqoftë kjo humbje, e ndikuar prej këtyre faktorëve nuk do të na zmbraps. Përkundrazi ajo të na bëjë më fortë e më të bashkuar. Kemi lojtarë përplot talent e entuziazëm për ta dhënë më të mirë e tyre për atdheun dhe pa dyshim se sukseset nuk do të vonojnë”.

“Jemi krenarë pafundësisht me këta djem të artë, të cilët nuk rreshtin së luftuari për këtë fanellë e për shtetin tonë, ndonëse në rastet kur mungojnë rezultatet kritikat ndaj tyre janë të ashpra e të pamatura nga një pjesë e opinionit.  Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar e me një qëllim – për Kosovën tonë!  Jemi të përkushtuar ndaj zhvillimit të futbollit të Kosovës dhe mbështesim lojtarët tanë në çdo moment, pavarësisht sfidave që mund të hasin. Jemi një kombëtare e bashkuar dhe krenaria për fanellën tonë është gjithmonë mbi çdo gjë tjetër”, vazhdon reagimi i Ademit.

(Kosova Sot Online)