FFK paralajmëron ankesë edhe në CAS, ku Shqipëria e kishte fituar ndeshjen me Serbinë

  • A.P /
  • 13 September 2023 - 18:27
FFK paralajmëron ankesë edhe në CAS, ku Shqipëria e kishte fituar ndeshjen me Serbinë

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një reagimi në faqen e saj zyrtare ka paralajmëruar se do të ankohet në CAS për skandalin që ndodhi mbrëmë me futbollistët rumunë

Kosova humbi mbrëmë në “Arena Nationala” në Bukuresht nga Rumania me rezultat 2-0, por tifozët filluan gjuhë diskriminuese ndaj Kosovës dhe lojtarëve të saj.

Për këtë ka reaguar FFK, e cila në faqen e saj zyrtare ka shkruar se do të ankohet në CAS për ndeshjen e mbrëmshme.

“Federata e Futbollit të Kosovës dënon ashpër incidentin e rëndë të shkaktuar nga tifozët e kombëtares së Rumanisë, gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024, Rumani-Kosovë, në “Arena Nationala” në Bukuresht”, thuhet fillimisht në këtë deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të FFK-së.

“Tifozët e kombëtares së futbollit të Rumanisë, përmes gjuhës së urrejtjes e dëmtimit të imazhit të vetë kombëtares përmes shprehjeve të tilla dhe sjelljeve jo sportive kanë denigruar ndeshjen e mbrëmshme të futbollit”.

“Për këtë gjë, Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar menjëherë aty për aty, duke kërkuar suspendim të lojës deri në tërheqjen e pankartave dhe slloganëve të urrejtjes gjatë ndeshjes. Kjo kërkesë e FFK-së është miratuar nga delegati i ndeshjes dhe derisa janë tërhequr të gjitha pankartat dhe janë ndalur të gjitha thirrjet urrejtëse kundër Kosovës nuk ka rifilluar ndeshja”.

“Pas incidentit të këtillë, është kërkuar nga delegati i UEFA-s të evidentohen të gjitha shkeljet që kanë rezultuar me vërejtje ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë dhe është kërkuar që të gjitha shkeljet të procesohen te organet përkatëse të UEFA-s”.

Pas këtyre veprimeve FFK i është drejtuar Komisionit Disiplinor të UEFA-s me kërkesën “që të merren masat adekuate në raport me brohoritjet nacionaliste, pankartat dhe gjuhën e urrejtjes të shprehur nga tifozët e kombëtares së Rumanisë”.

“Incidentet e këtilla nuk duhet përsëritur. Futbolli vetëm ndërton ura ndërmjet nesh, nuk duhet shembur ato. Falënderojmë edhe një herë të gjithë ata që kanë dënuar incidentin e djeshëm dhe mbështetjen ndaj futbollit. Përkundër kësaj FFK ka diskutuar dhe ka mbledhur deklarata dhe materiale të incizuara e të fotografuara, të cilat e plotësojnë dosjen e ankesës për dënim të kësaj ngjarje, me kërkesë për rishikimin e të gjitha ndodhive nga kontrollorët, specialistët dhe nga sektori i referimit për vendimet e padrejta”.

Pos ankesave për tifozët, kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka pasur ankesa edhe në referim ku është ankuar me arsyetimin se Kosova është dëmtuar nga veprimet e gjyqtarëve.

“Presidenti Ademi ka telefonuar organet kompetente për këtë rast dhe ka kërkuar të merren masa, duke përmendur edhe rastin e ndeshjes me Zvicrën për mosdhënien e penalltisë, e po ashtu edhe rastin e penalltisë së mundshme me Rumaninë e mosdhënien e kartonit të kuq në rastin e ndërhyrjes ndaj Rrahmanit”.

(Kosova Sot Online)