FFK thotë se ndeshja Prishtina – Liria do të zhvillohet në Hajvali

  • A.P /
  • 15 September 2023 - 18:19
FFK thotë se ndeshja Prishtina – Liria do të zhvillohet në Hajvali

Me kthimin në futbollin e ekipeve, janë kthyer edhe problemet mes FC Prishtinës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Këta të fundit me anë të Komisionit të Garave njoftuan se kryeqytetasit do ta zhvillojnë ndeshjen e fundjavës në Hajvali, por ndryshe thonë nga skuadra, ku kanë paralajmëruar zhvillimin e ndeshjes në Fadil Vokrri.

Ky problem daton kohë më parë, me Prishtinën që nuk mundi t’i zhvillonte xhiron e para të këtij sezoni në Fadil Vokrri, për shkak të gjendjes së rënduar të fushës. Nga FFK më herët gjatë ditës njoftuan se ka filluar procesi i riparimit të fushës dhe skuadra nga kryeqyteti nuk mund të zhvillojë ndeshjet aty.

Njoftimi i plotë nga FFK

Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë me kohë ka njoftuar FC Prishtina se ndeshja e javës së 5-të në Albi Mall Superligë, ndërmjet FC Prishtina dhe FC Liria, nuk do të mund të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, ngase menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve të ekipeve kombëtare, FFK ka filluar me procesin e riparimit të fushës.

FFK, si zakonisht, i ka dalë në ndihmë FC Prishtina, duke ia vënë në dispozicion stadiumin me bari natyral në Kampin Nacional të FFK-së për zhvillimin e kësaj ndeshje, ashtu siç ka bërë edhe në ndeshjet e kaluara të këtij edicioni. Andaj, Komisioni i Garave ka vendosur që ndeshja në fjalë të zhvillohet më 17 shtator, në orën 15:00, në Kampin Nacional në Hajvali.

Pas kësaj jave, sipas ekspertëve të fushës, përfundon faza e rikuperimit të fushes dhe do të mund të rifillojë zhvillimi i ndeshjeve të Superligës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

(Kosova Sot Online)