Pioli refuzon t’u kërkojë falje tifozëve

  • A.P /
  • 17 September 2023 - 10:46
Pioli refuzon t’u kërkojë falje tifozëve

Milani ka humbur pesë derbi radhazi kundër rivalit lokal, Interit, duke shënuar një gol dhe duke pësuar 12 sosh.

Megjithatë, Stefano Pioli refuzoi t’u kërkonte falje tifozëve pas humbjes të mbrëmshme me rezultatin e thellë 5:1.

“Interi është i fortë, kjo nuk është befasuese, por rezultati është shumë i rëndë duke marrë parasysh performancën tonë”, tha ai në konferencën për shtyp.

Kur trajneri i “Rossonerëve” u pyet nga një gazetar nëse mendonte se ishte koha për t’u kërkuar falje tifozëve, ai reagoi me zemërim.

“Unë nuk jam dakord me këtë ide për t’u kërkuar falje tifozëve. Mendoni se humbëm 5-1 nga Interi qëllimisht dhe humbëm derbin? Jemi të zhgënjyer, ashtu siç janë edhe tifozët. Ju duhet të kërkoni falje vetëm kur bëni diçka të gabuar me qëllim”, u shpreh trajneri italian.

Mbetet për t’u parë nëse hierarkia e Milanit ka të njëjtën pikëpamje si Pioli, sepse u raportua se drejtorët hynë në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes.

“Kthehuni dhe shikoni atë që dëshironi. Humbëm pesë derbi dhe do të përpiqemi të bëjmë më mirë. Drejtorët ishin aty për të na dhënë forcë, por ne nuk mund të shkojmë në shtëpi me kokën lart”, deklaroi Stefano Pioli.

(Kosova Sot Online)