Napoli i Rrahmanit e nis sezonin në Ligën e Kampionëve

  • A.P /
  • 20 September 2023 - 20:50
Napoli i Rrahmanit e nis sezonin në Ligën e Kampionëve

Napoli i Amir Rrahmanit e kishte filluar vitin e kaluar me këmbë të mbarë Ligën e Kampionëve, ku kishte mposhtur Liverpoolin me rezultat të thellë në shtëpi

Sonte ata do të luajnë kundër Bragës së Portugalisë si mysafirë, me shpresën për një fitore që do ta niste mirë sezonin e tyre në Ligën e Kampionëve.

SC Braga u kualifikua në Ligën e Kampionëve pasi që eliminoi në playoff skuadrën greke të Panathinaikosit, duke u kthyer në këtë garë pas 11 viteve.

Në ndeshjen e parë ata presin çerekfinalistin e Ligës së Kampionëve, Napolin.

Skuadra e Bragas që udhëhiqet nga Artur Jorge nuk e ka filluar mirë në kampionatin vendor ku ka fituar dy ndeshje, ka barazuar në një dhe ka humbur në dy. Në ndeshjen e fundit ata humbën nga Farense me rezultat 3-1.

Napoli po ashtu nuk ka pasur fillim të mirë të sezonit, derisa në ndeshjen e fundit barazoi me Genoan duke i lënë ata me vetëm pesë pikë nga katër ndeshje të zhvilluara.

Rudi Garcia e njeh mirë skuadrën e Bragas pasi që dy herë është takuar me ta sa ishte trajner i Marseille ku fitoi një ndeshje dhe humbi një tjetër. Por, sonte skuadra e tij konsiderohet favorit për ta fituar këtë ndeshje.

SC Braga do të tentojë që të bëjë diçka në këtë ndeshje në të cilën në sulm kanë startuar Djalo, Abel Ruiz dhe Bruma.

Në anën tjetër, për Napolin sonte nga minuta e parë ka startuar Amir Rrahmani. Ky është një rikthim i kapitenit të Kosovës pasi që ai mungoi në ndeshjen që Napoli barazoi kundër Genoas.

Kvaratskhelia, Osimhen dhe Politano janë treshja sulmuese e Garcias sonte që kërkon fitoren e parë me Napolin në grupe të Ligës së Kampionëve. 

(Kosova Sot Online)