Ancelotti: Jemi Reali dhe duam të fitojmë gjithçka

  • A.P /
  • 21 September 2023 - 15:30
Ancelotti: Jemi Reali dhe duam të fitojmë gjithçka

Trajneri i Realit të Madridit, Carlo Ancelotti, ka folur për mediat spanjolle pas suksesit të vuajtur kundër Union Berlinit.

“Los blancos” kanë zgjidhur takimin në fund me një gol të Bellingamit dhe Ancelotti është shfaqur i qetë, duke theksuar se e priste një përballje të tillë.

“Ndeshja ishte planifikuar të shkonte kështu, me shumë kontroll dhe një mbrojtje të ngjeshur nga Unioni i Berlinit. Nuk na lanë asnjë hapësirë, por ne u përpoqëm dhe në fund ia dolëm ta çanim mbrojtjen e tyre. Mund të kishim shënuar më parë, por është e rëndësishme të shënosh në fund, sepse fryma e kësaj fanelle është kjo: besoni deri në minutën e fundit”, deklaroi Ancelotti.

Italiani i ka bërë më tej një analizë më të thellë takimit. “Pjesa e dytë ishte më e mirë, sepse ata ushtronin më pak presion. Pamë që energjitë e tyre po shteronin dhe ne përfituam nga hapësirat e krijuara. Mund të kishim shënuar ndonjë gol më shumë, por edhe një ishte i mjaftueshëm për tri pikët”, tha Ancelotti, i cili në fund i është kthyer sërish çështjes së favoritëve në Champions.

“Ne jemi Reali dhe e kemi për detyrim t’u shkojmë deri në fund të gjitha garave ku marrim pjesë. Gjithsesi, të flasësh për favoritë të qartë që në fillimin e edicionit nuk më duket shumë e zgjuar”, deklaroi italiani.

(Kosova Sot Online)