Ylli i Suharekës përgatit kallëzim penal për demoluesit e palestrës

  • A.P /
  • 22 September 2023 - 18:30
Ylli i Suharekës përgatit kallëzim penal për demoluesit e palestrës

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) gjatë ditës së sotme ka publikuar dënimet e shqiptuara lidhur me incidentet e natës finale në Superkupën e Kosovës në basketboll.

Gjatë finales që u zhvillua pati incidente të shumta si brenda ashtu edhe jashtë palestrës, “13 Qershori”

Për këtë, Komisioni i Garave i FBK-së shqiptoi dënim në total prej 1700 eurosh ndaj organizatorit, KB Golden Eagle Ylli.

Pas këtij vendimi ka reaguar edhe KB Ylli i Suharekës të cilët mendojnë se Komisioni i garave ka përdorur kriter të dyfishtë.

“Sot gjatë ditë kemi pranuar informatorin e III të Superkupës së Kosovës dhe shohim një kriter të dyfishtë nga komisioni i garave. Shqetësimi ynë qëndron te këto kritere që vitin e kaluar pas eskalimit të situatës janë shqiptuar dënime për dy ekipet pjesëmarrëse në finale dhe jo organizatori, por që këtë vit ndodh kundërta, dënohet organizatori dhe jo ekipet pjesëmarrëse!!”, thuhet fillimisht në reagimin e Yllit.

Tutje klubi nga Suhareka ka paralajmëruar edhe padi për ata që demoluan palestrën “13 qeshori”

“Përndryshe ju njoftojmë që ky rast nuk do të mbyllet me kaq pasi që klubi në bashkëpunim me Komunën e Suharekës dhe Policinë e Kosovës do hapin kallëzim penal për demolimin e palestrës “13 Qershori”, thuhet në reagimin e Yllit.

(Kosova Sot Online)