Gliha: Dinamo nuk do ta ketë të lehtë ndaj Ballkanit

  • A.P /
  • 25 September 2023 - 21:45
Gliha: Dinamo nuk do ta ketë të lehtë ndaj Ballkanit

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Primoz Gliha, ka folur rreth ndeshjes së ardhshme të Ballkanit në Ligën e Konferencës, ndaj Dinamo Zagrebit.

Gliha vlerësoi se gjiganti kroat nuk do ta ketë lehtë ndaj kampionit të Kosovës, duke theksuar se therandasit bëjnë lojë shumë të mirë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Dinamo është gjithmonë Dinamo. Nuk është kurrë një lojë e lehtë kundër tij. Ballkani në Prishtinë luan shumë mirë, me shumë guxim, kolektivisht. Ata fituan 2:0 kampionin bullgar Ludogorets, ishin superiorë. Ballkani ka dy-tre lojtarë jashtëzakonisht të mirë që janë kandidatë për kombëtaren tonë, ndaj Dinamo duhet të jetë e kujdesshme dhe e përqendruar sa më shumë”, tha fillimisht ai për mediumin kroat “Sportske”.

Gliha vlerësoi lart punën e bërë nga presidenti i Ballkanit, duke theksuar se “portokallezinjtë” janë në këtë nivel falë tij. Ballkani që dy vite radhazi merr pjesë në grupet e Ligës së Konferencës, si kampion i Kosovës.

“Klubi varet nga presidenti, si është ai, si është e gjithë organizata. Ata kanë si president një biznesmen shumë inteligjent dhe të aftë që e ngriti atë klub në një nivel të lartë. Prandaj janë aty ku janë”, tha Gliha.

Tutje, përzgjedhësi i “Dardanëve” tha se Ballkani dhe të gjitha ekipet e Kosovës kanë lojtarë teknikisht të mirë, por problemi më i madh qëndron te mbrojtja. Nga ky problem tha se vuan edhe Kombëtarja e Kosovës.

“Ju mund të dyshoni në atë që do t’ju them, por të gjitha klubet e Kosovës kanë lojtarë teknikisht të mirë. Problemi i të gjithëve, por edhe i kombëtares është ajo që i thashë presidentit të Federatës – për ne sllovenët ju jeni brazilianët në sulm, por për ju jemi gjermanë në mbrojtje. Problemi më i madh i tyre është mbrojtja dhe pa të, pa karakter solid në rreshtin e fundit, nuk mund të bësh shumë. Kombëtarja e Kroacisë e di më së miri këtë”, tha trajneri slloven.

Në fund Gliha u pyet se çfarë pret Ballkani nga grupi që ka në Ligën e Konferencës, teksa përgjigja e tij ishte: “Nga njëra anë, ata janë shumë ambiciozë, dhe nga ana tjetër, mjaft realistë. Kur luajtëm me Rumaninë thashë se tradita është dallimi më i madh mes nesh, në futboll është tepër e rëndësishme. Kur ke përvojë, të mirë dhe veçanërisht të keqe, mëson prej saj. Ata janë të rinj dhe nëse do të kishin përvojë dhe traditë me cilësinë që posedojnë, mund të bënin shumë më tepër”.

Ndryshe, ndeshja mes Ballkanit dhe Dinamo Zagrebit do të zhvillohet më 5 tetor, në “Fadil Vokrri”.

Ballkani dhe Dinamo Zagrebi janë në Grupin C, bashkë me Viktoria Plzenin dhe Astanan.

Ballkani pësoi humbje në ndeshjen e parë në udhëtim ndaj Plzenit (1:0), kurse Dinamo Zagrebi triumfoi si vendas ndaj Astanas (5:1). 

(Kosova Sot Online)