Në fundjavë vjen derbi i basketbollit Trepça - Prishtina

  • A.P /
  • 27 September 2023 - 15:19
Në fundjavë vjen derbi i basketbollit Trepça - Prishtina

Xhiroja e dytë e Superligës së basketbollit do ta sjellë një ndeshje të madhe në këtë fundjavë.

Trepça dhe Sigal Prishtina do të përballen mes vete në Mitrovicë në derbin e moçëm të dy prej klubeve më të mira dhe më të suksesshme në basketbollin e këtushëm.

“Klasikja” do të luhet të shtunën duke filluar nga ora 19:00 në palestrën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë, ku gjithmonë atmosfera ka ditur të jetë e zjarrtë dhe e jashtëzakonshme

Të dyja ekipet e nisën sezonin e ri të ligës elitare me fitore, ndërsa në fundjavë do ta kërkojnë fitoren e dytë, ndonëse vetëm njëra prej tyre do ta arrijë atë.

Trepça është mjaft e motivuar pasi e fitoi Superkupën e Kosovës dhe do ta kërkojë fitoren.

Mitrovicasit synojnë ta fitojnë titullin e kampionit pas një kohe të gjatë pasi dështuan ta bënin një gjë të tillë në edicionin e kaluar kur humbën nga Peja në serinë finale të “play-offit”.

Nga ana tjetër, edhe kryeqytetasit po e kërkojnë këndelljen pasi në vitet e fundit nuk i kishin punët aspak mirë me rezultate dhe me suksese.

Duelet tjera të xhiros së dytë të Superligës, të cilat do të luhen në fundjavë janë: Bashkimi – Vëllaznimi, Proton Cable Prizreni – Peja dhe Golden Eagle Ylli – Istogu. 


(Kosova Sot Online)