Çeku e prezanton projektin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë

  • A.P /
  • 27 September 2023 - 16:12
Çeku e prezanton projektin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë

Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku e ka prezantuar sot projektin e qendrës nacionale të xhudos në Pejë, e cila do të shërbejë për ushtrimet e xhudistëve dhe për organizimin e garave ndërkombëtare.

Kjo qendër nacionale ndërkombëtare do t’i presë edhe garat prestigjioze të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, të cilat do t’i organizojë Kosova pas shtatë vjetësh.

Projekti i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, dëshmia e radhës e përkushtimit tonë për sportin dhe e zbatimit të suksesshëm të programit shtetëror "Kosova shtet i xhudos".

Me miratimin e vendimit të sotëm për shpronësim, po nisim një fazë të re, fillojmë ndërtimin e qendrës së parë ndërkombëtare për kampe trajnimi në Kosovë.

Qendra e re multifunksionale do të ofrojë mjedisin e duhur me standarde evropiane për trajnimet e xhudistëve dhe për organizim të garave ndërkombëtare siç janë ato të Lojërave Mesdhetare. Do të jetë një destinacion i veçantë që zhvillon turizmin sportiv ndërsa për ekonominë vendore, do të sjellë ndikim pozitiv duke krijuar mundësi të reja të punësimit e investimeve.

(Kosova Sot Online)