Superliga sjell sot derbin Drita - Gjilani

  • A.P /
  • 01 October 2023 - 09:19
Superliga sjell sot derbin Drita - Gjilani

Superliga e Kosovës në futboll vazhdon sot me dy ndeshjet e radhës në kuadër të javës së tetë.

Padyshim se vëmendja do të jetë në derbin mes rivalëve lokal, Dritës dhe Gjilanit

“Intelektualët” do të hyjnë në këtë ndeshje pas dy fitoreve radhazi; ndaj Prishtinës dhe Feronikelit ’74, teksa mbajnë pozitën e tretë në tabelë me 12 pikë.

Edhe “Skifterat” vijnë pas fitores në xhiron e kaluar, ndaj Lirisë. Gjilanasit janë në pozitën e gjashtë me shtatë pikë të grumbulluara.

Ndeshja mes Dritës dhe Gjilanit do të zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” të Lipjanit.

Ndeshja tjetër për sot do të zhvillohet në stadiumin “18 Qershori”, aty ku Dukagjini e pret Feronikelin ’74.

Klinasit barazuan me Prishtinën në ndeshjen e kaluar, derisa skuadra nga Drenasi u mposht nga Gjilani.

Dukagjini ka grumbulluar shtatë pikë deri më tani dhe është i shtati në tabelë, kurse “Nikli” ndodhet në pozitën e parafundit (9) me një pikë më pak.

Kujtojmë se të dy ndeshjet do të zhvillohen nga ora 15:00. 

(Kosova Sot Online)