Fjalimi motivues i Inzagit ndaj Benfikës

  • A.P /
  • 06 October 2023 - 15:08
Fjalimi motivues i Inzagit ndaj Benfikës

Interi ishte me dy fytyra në ndeshjen ndaj Benfikës dhe pjesa e dytë ishte ajo që dhuroi një nga paraqitjet me të mira të zikaltërve gjatë këtij sezoni.

Ndryshimi e pati pikënisjen sigurisht nga pushimi mes pjesëve dhe ligjërata e trajnerit, që siç ka zbuluar “Corriere dello Sport” ka vendosur gishtin në plagë, apo më mirë akoma në atë arritje që ka bërë skuadrën të ndërgjegjshme për forcën që ka sot: finalja e Ligës së Kampioneve.

“A ju kujtohet Stambolli? A doni të ktheheni në finalen e Ligës së Kampioneve? Atëherë kjo ndeshje duhet fituar me çdo kusht”, kishte thënë trajneri zikaltër në dhomat e zhveshjes të “San Siro”-s.

Simone dinte të gjente fjalët e duhura për t’i karikuar lojtarët e tij dhe për t’i dërguar ata në sulm ndaj portugezëve. Para së gjithash pati korrigjime taktike.

Pjesa e parë u karakterizua nga shumë gabime në fazat e ndërtimit dhe përfundimit, kështu që Lautaro dhe shokët e tij ngritën vijën e presingut për të anuluar driblimin e Benfikës.

Do të kishte qenë një mision i pamundur nëse Interi nuk do ta kishte bërë këtë si një trup i vetëm, me një dedikim total ndaj kauzës së tyre dhe duke vendosur në skenë një paraqitje prej një finalisti Champions-i.

E referuar kësaj të fundit, Inzagi ka ditur të godasë në shenjë në fjalët motivuese për skuadrën.

(Kosova Sot Online)