Haaland s’ka të ndalur: E dua një tjetër “Treshe”, jam i uritur, Championsi një ëndërr, Topi i Artë…

  • S.A /
  • 07 October 2023 - 16:20
Haaland s’ka të ndalur: E dua një tjetër “Treshe”, jam i uritur, Championsi një ëndërr, Topi i Artë…

Erling Haaland i fitoi trofetë më të rëndësishëm të sezonit të kaluar me Manchester Cityn, transmeton "Kosova Sot Online".

Por, sulmuesi norvegjez është i uritur për t’i përsëritur këto suksese dhe për ta fituar përsëri treshen e trofeve, Ligën e Kampionëve, Premierligën dhe FA Cup.

Makineria e golit, i cili i realizoi plot 60 gola në 64 ndeshje me “Citizens” thotë se Championsi ishte një ëndërr, ndërsa e pranon se do të donte që gjatë karrierës ta fitojë edhe Topin e Artë.

“Është pozitive që njerëzit shokohen më shumë kur nuk shënoj gol sesa kur shënoj. Nuk ankohem fare pasi kam nënshkruar kontratë edhe për të shënuar gola. Kështu që, kjo është ajo që e presin të gjithë”, deklaroi fillimisht ish-futbollisti i Salzburgut e Borussia Dortmundit për mediumin britanik “The Telegraph”, përcjell “Gazeta Express”.

“Championsi? Ajo që çon peshë është të fitosh, të fitosh trofe. Kjo ma jep gëzimin më të madh. Kam përjetuar shumë emocione. Championsi ishte njëra prej ëndrrave të mia më të mëdha, atë që e prisja krejt jetën, ishte vërtetë një ndjenjë e papërshkrueshme. Jam ndier mjaft i lumtur. Shpresoj ta përjetoj përsëri këtë ndjenjë në jetën time. Ishte ndjenja më e mirë që e kam provuar ndonjëherë. Dukej joreale”, vazhdoi ai.

“Topi i Artë? Do të ishte e bukur po ta fitoja, nuk mund të gënjej, por nuk është objektivi im kryesor. Dua të provoj të fitoj sa më shumë trofe, e më pas arrijnë edhe gjërat tjera”, përfundoi Haaland, i cili është njëri nga kandidatët kryesorë për ta fituar Topin e Artë për vitin 2023 pas sezonit fantastik që e pati. 

(Kosova Sot Online )