Nëse ka Shqipëria shumë mbrojtës dhe Kosova vuan, mund të na japin një!

  • S.A /
  • 11 October 2023 - 13:44
Nëse ka Shqipëria shumë mbrojtës dhe Kosova vuan, mund të na japin një!

Shqipëria do të përballet kundër Çekisë nesër mbrëma. Kjo ndeshje është e vlefshme për kualifikueset e Europianit dhe kuqezinjtë kërkojnë fitoren për të shkuar më afër me Gjermaninë, transmeton "Kosova Sot Online".

Trajneri i  njohur, Ismet Munishi, që ka bërë analizën e tij para këtij takimi.

“Respekt për të gjithë trajnerët që kanë dhënë kontribut te Shqipëria. Ka pasur edhe të suksesshëm si në rastin e De Biazit. Shqipëria është e lidhur me trajnerët italianë,  por këtë herë është vepruar mirë pasi është marrë një ekspert me shumë entuziazëm. Silvinjo dhe Zabaleta kanë luajtur në nivele të larta dhe kanë se çfarë këshillash t’i japin lojtarëve. Kjo lloj energjie te Shqipëria nuk ka qenë kurrë më parë. Ne kemi fituar në kohën e De Biazit, por kemi fituar si inferiorë. Rrinim në mbrojtje gjithë kohën dhe më pas tentonim ndonjë kundërsulm. Ky lloj futbolli nuk të jep asnjë lloj garancie për vazhdimësinë. Ndërsa këta djemë sot me Silvinjo, po luajnë futboll “Heavy Metal”. Po luhet një futboll fantastik, të gjithë vrapojnë, luftojnë dhe kanë shumë dëshirë për të bërë mirë. Kur shënohet goli të gjithë kërcejnë në stol, nuk ka asnjë debat pas ndeshjes nga lojtarët për minutat që luajnë, të gjithë janë të lumtur. Një lojtar që unë do ta doja nga koha e De Biazit? Më ka pëlqyer shumë Andi Lila si lojtar. Lila ka qenë një luftëtar, luante në shumë pozicione dhe më ka pëlqyer shumë. Me entuziazmin dhe luftën që ai bënte, do t’i përshtatej shumë Shqipërisë së Silvinjos. Këtë Shqipëri, unë nuk do të doja kurrë që ta kisha përpara si një kundërshtar në rolin e trajnerit. Ka një optimizëm dhe energji të madhe, tifozët po ashtu. Cekët do të përballen me ferrin në Tiranë. Ka filluar që tani që të ndihet atmosfera. Çekët janë mësuar që të luajnë me shumë tifozë, por nuk janë mësuar si në Shqipëri. Tifozët tanë dinë të bëjnë atmosferë që nuk bëhet në stadiumet e tjera në botë. Unë shoh edhe ndeshjet e Premier League, Bundesliga, por vetëm tifozët e Dortmundit afrohen me ne. Në Air Albania po bëhet një atmosferë fantastike. Dua të komplimentoj edhe Plisat, janë në top formë, i pashë te Prishtina-Ballkani. Ka pasur shumë polemika pse po ikin lojtarët shqiptarë nga Kosova te Shqipëria. Dua një koordinim më të mirë të Federatave. Nëse Kosova vuan për një qendër mbrojtës dhe Shqipëria ka shumë qendër mbrojtësa te moshat dhe ekipet zinxhirë, ta lërë një te Kosova. Pra kështu të bëjmë dy ekipe shumë të forta. Jo të merremi me polemika pse iku andej ose këtej. Është shumë normale që një lojtar të rri te Kosova apo te Shqipëria. Ne jemi dy shtete, por një popull. Vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, vetëm bashkë mund të jemi të fortë, jo vetëm në futboll, por në çdo aspekt”, tha Munishi.

(Kosova Sot Online )