Pas Xhakës e Shaqirit, Zvicra i fton edhe dy shqiptarë për ndeshjen e tetorit

  • S.A /
  • 11 October 2023 - 14:16
Pas Xhakës e Shaqirit, Zvicra i fton edhe dy shqiptarë për ndeshjen e tetorit

Kombëtarja e Zvicrës do t’i ketë në gjirin e saj katër futbollistë shqiptarë për ndeshjen e së dielës ndaj Bjellorusisë, transmeton "Kosova sot Online".

Krahas Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës, “Helvetikët” i kanë ftuar edhe Andi Zeqirin dhe Uran Bislimin, të cilët do t’i zëvendësojnë dy lojtarët e lënduar, Noah Okafor dhe Ruben Vargas.  Lajmin e ka bërë të ditur sot Kombëtarja e Zvicrës përmes rrjeteve sociale.

Zvicra do ta luajë vetëm një ndeshje këtë muaj pasi dueli i së enjtes me Izraelin është shtyrë shkaku i luftës që nisi në këtë vend dhe kjo ndeshje pritet të luhet në nëntor.

Zeqiri është pjesë e Genkut, ndërsa Bislimi luan në Lugano.

Të dy futbollistët shiheshin si e ardhme e Kombëtaren së Kosovës, por në fund e zgjodhën Zvicrën, duke ua kthyer shpinën “Dardanëve”. Zvicra është e para në Grupin I me 14 pikë, prej tyre 4 fitore e 2 barazime, pa humbje. Kjo Kombëtare është favorite absolute për t’u kualifikuar në Kampionat Evropian, i cili di të mbahet vitin tjetër në Gjermani. Siç dihet, edhe Kosova është në të njëjtin grup me Zvicrën, por pa gjasa për t’u kualifikuar në Euro 2024.

(Kosova Sot Online )