Shqipëria mbyll përgatitjet për ndeshjen me Çekinë

  • A.P /
  • 11 October 2023 - 21:00
Shqipëria mbyll përgatitjet për ndeshjen me Çekinë

Kombëtarja shqiptare mbylli sot përgatitjet në stadiumin ‘Air Albania’ për sfidën e rëndësishme ndaj Çekisë, takim i vlefshëm për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’.

Pas konferencës zyrtare për media, ekipi doli në fushë dhe u stërvit për rreth një orë. Përveç Armando Brojës, e gjithë skuadra u stërvit së bashku, teksa ekipit iu bashkua sot edhe mesfushori Klaus Gjasula. Stërvitja e ditës së sotme nuk ka pasur shumë ngarkesa fizike, me stafin teknik që e fokusoi më shumë seancën në ushtrimet me topin dhe situata të ndryshme loje

Sa i përket gjendjes së Armando Brojës, stafi mjekësor ka dalë në përfundimin se sulmuesi nuk mund të jetë i gatshëm për takimin e nesërm ndaj Çekisë pas një shqetësimi fizik.

Shqipëria do të luajë nesër ndaj Çekisë në stadiumin ‘Air Albania’, me takimin që është programuar të nisë në ora 20.

(Kosova Sot Online)